Çellsi tundon Antonio Konten me një ofertë madhore

Ofertat për Antonio Konten vijojnë të shtohen nga dita në ditë. Napoli, Milani dhe Juventusi në Itali janë gati të kënaqin dëshirat e trajnerit italian, që së fundi po joshet nga një tjetër aventurë në Premier Ligë.

Media britanike bën me dije se Çellsi është gati t’i ofrojë një kontratë joshëse Kontes për ta rikthyer në “Stemford Brixh”, aty ku 54-vjeçari punoi në periudhën 2016-2018, duke fituar edhe një titull kampion. Londinezët kanë vendosur të largojnë argjentinasin Poketinjo, në fund të sezonit, pasi nuk janë të bindur nga puna e tij dhe shohin Konten si të duhurin për të rikthyer skuadrën në nivele të larta.

Nga ana tjetër, krahas ofertës joshëse me rreth 10 milionë euro në sezon, trajnerin italian e tërheq jo pak edhe projekti, pasi pronari i Çellsi-t, Tod Boehli është gati t’i ofrojë një çek të bardhë për merkaton, në mënyrë që të ndërtohet një skuadër konkurruese.

Tashmë topi është në këmbët e Kontes, që do të duhet të llogaritë mes Italisë, ku ka familjen dhe rrethin shoqëror, apo Anglisë, ku mund të garojë për objektiva madhorë.

LEXO EDHE:

Back to top button