“Çështjet etnike”, Mexhiti përgënjeshtron Taravarin: Unë dhe Fetai kemi punuar bashkë
“Çështjet etnike”, Mexhiti përgënjeshtron Taravarin: Unë dhe Fetai kemi punuar bashkë

Gazetar: Suad Bajrami
Zëvendëskryeministri Izet Mexhiti deklaron që Arben Taravari asnjëherë nuk i është ankuar atij për mosrealizim të çështjeve etnike derisa ka qenë në koalicion, pavarësisht se ai këtë e thekson si arsye për largim nga qeveria.
Çështjeve etnike, siç thekson Mexhiti, iu ka dalë zot ai si zëvendëskryeministër i parë dhe Arben Fetai, zëvendëskryeministri i partisë së Arben Taravarit, i cili tani për tani nuk e ka ndarë mendjen nëse do të qëndrojë në qeveri.
“Çështjeve etnike iu kam dalë zot unë si zëvendëskryeministër i parë dhe në shumë raste edhe zotëri Arben Fetai si zëvendëskryeministër i dytë dhe bashkërisht kemi punuar në Ligjin për Përfaqësim Adekuat, në Ligjin për Gjuhët, në përfaqësimin adekuat dhe temat tjera të ndjeshme që janë etnike. Që domethënë juve s’ju ka thënë Taravari për çështjet etnike? Jo, jo. S’është ankuar që nuk realizohen të drejtat? Ka stenograme në Qeveri dhe do shihet”, deklaroi Izet Mexhiti, zëvendëskryeministër i parë.
Edhe VMRO-DPMNE-ja, përgënjeshtroi Taravarin. Sipas tyre, arsyeja e largimit nga qeveria nuk janë çështjet shqiptare, por shantazhi i BDI-së dhe LSDM-së.
“Taravari nuk është dëgjuar të flet për atë se nuk janë trajtuar mirë çështjet shqiptare, pasi edhe vetë ai disa herë ka thënë se Qeveria edhe atë si, kujdeset për shqiptarët. Taravari publikisht duhet të përgjigjet me çka është shantazhuar nga LSDM dhe BDI. A është diçka e lidhur me biznes apo ndonjë motiv tjetër”, tha Dragan Kovaçki, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Pretendimet, ASH-ja, i quajti shpifje të llojit më absurd. Ndër arsyet e largimit, Taravari përmendi shfuqizimin e Balancerit, zvarritjen e ligjit për përfaqësim të drejtë dhe punësimet masive të maqedonasve nëpër institucione. Megjithatë, thelbi i konfliktit që përfundoi me ndarje fillimisht nga VLEN dhe më pastaj dhe nga Qeveria, duket të jetë kontakti i Arben Taravarit me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti, të cilin fillimisht e quajti si “kanale komunikimi”, pastaj e tha se ka pasur vetëm një bisedë telefonike, dhe krejt në fund u zbulua se është takuar 3 herë fshehurazi. /Alsat.mk