Çfarë do të ndodhë pas pakësimit të gazit nga Rusia në Evropë?

Çfarë do të ndodhë pas pakësimit të gazit nga Rusia në Evropë?

Nuk është vala e nxehtë e verës ajo që po i bën udhëheqësit dhe bizneset evropiane të djersiten. Është shqetësimi se manipulimi i Rusisë me furnizimet me gaz natyror do të çojë në një krizë ekonomike dhe politike dimrin e ardhshëm. Ose, në rastin më të keq, edhe më shpejt.

Ja disa nga çështjet kryesore që lidhen me lojën që po luhet me energjinë, si pasojë e luftës në Ukrainë:

Rusia javën e kaluar pakësoi furnizimet me gaz për pesë vende të Bashkimit Evropian, duke përfshirë Gjermaninë, ekonominë më të madhe të bllokut me 27-vende që varet shumë nga gazi i Moskës.

Gjigandi energjetik shtetëror rus Gazprom ka shkurtuar furnizimet përmes gazsjellësit Nord Stream 1, që kalon nën Detin Baltik, nga Rusia në Gjermani – tubacioni kryesor i gazit natyror në Evropë – me 60%. Italia po sheh një përgjysmim të furnizimit të saj. Austria, Republika Çeke dhe Sllovakia gjithashtu kanë parë pakësime të furnizimit.

Kjo vjen pas ndërprerjes së furnizimit me gaz të Polonisë, Bullgarisë, Danimarkës, Finlandës, Francës dhe Holandës, gjatë javëve të fundit. Këto ndërprerje, u panë fillimisht si më pak problematike, sepse Polonia, për shembull, po hiqte tashmë gradualisht gazin rus deri në fund të vitit, ndërsa të tjerët kishin furnizime alternative.

Megjithatë, shkurtimet e fundit goditën vendet, që kanë ekonomi të mëdha dhe përdorin sasi të mëpdha gazi natyror rus. Gjermania mbështetet tek Rusia për 35% të importeve të saj të gazit; Italia për 40%. Tani për tani, furnizimet me gaz janë të mjaftueshme për nevojat aktuale.

PSE JANË SHQETËSIM PAKËSIMET E FURNIZIMEVE?

Evropa po përpiqet të mbushë depozitën e saj nëntokësore të gazit përpara dimrit. Ndërmarrjet e gazit funksionojnë me një ritëm të rregullt, duke mbushur rezervat gjatë verës – kur, mund të blejnë gaz më lirë – dhe më pas e zvogëlojnë atë gjatë dimrit ndërsa kërkesa për ngrohje rritet. Pakësimet e furnizimit do ta bëjnë rimbushjen e depozitave më të shtrenjtë dhe të vështirë për t’u realizuar.

Ky veprim rrit mundësinë e një mbylljeje të plotë të furnizimeve me gaz rus, që do ta bënte të pamundur për Evropën të sigurojë sasinë që i nevojitet për dimër. Gazi natyror përdoret nga disa industri, si prodhuesit e qelqit dhe prodhuesit e çelikut, të cilët tashmë po përballen me kosto më të larta, duke ndihmuar në ngadalësimin e ekonomisë evropiane.

Për momentin, depozitat nëntokësore të Evropës janë 57% të mbushura. Propozimi i fundit i Komisionit Evropian është që çdo vend të arrijë nivelin 80% deri më 1 nëntor, ndërsa Gjermania ka vendosur objektivin 80% deri më 1 tetor dhe 90% deri në 1 nëntor.

Analistët në institutin “Bruegel” në Bruksel paralajmërojnë se “Bullgaria, Hungaria dhe Rumania nuk do të përmbushin objektivin e BE-së prej 80% nëse vazhdojnë me shpejtësinë aktuale”, ndërsa “Gjermania, Austria dhe Sllovakia do ta kenë shumë të vështirë të mbushin objektet e tyre të depozitave nëse ndërpritet furnizimi i gazit nga Rusia”.

BE-ja, e cila para luftës merrte rreth 40% të gazit të saj nga Rusia, ka hartuar plane për të ulur importet me dy të tretat deri në fund të vitit dhe për të hequr plotësisht varësinë nga gazi rus deri në vitin 2027. Blloku ka thënë tashmë se do të bllokojë qymyrin rus, duke filluar nga gushti dhe shumicën e naftës ruse pas gjashtë muajsh.

Qëllimi është t’i mohohen Rusisë 850 milionë dollarët në ditë që siguron nga shitjet e naftës dhe gazit në Evropë, për të parandaluar financimin e luftës së saj në Ukrainë.

Qeveritë dhe bizneset evropiane kanë blerë gaz të shtrenjtë natyror të lëngshëm, ose LNG, nga Shtetet e Bashkuara, që transportohet me anije çisternë, në krahasim me gazin që vjen me tubacion nga Rusia dhe është zakonisht më i lirë. Por lufta ka rritur çmimet e energjisë, që po nxisin inflacion rekord në Evropë dhe po ndihmojnë në mbajtjen e të ardhurave të larta për Rusinë.

Ka përpjekje për të marrë më shumë gaz nga Norvegjia dhe Azerbajxhani, ndërkohë që përshpejtimi i shfrytëzimit të energjisë së rinovueshme dhe ruajtja e saj pritet të luajnë rol më të vogël. Gjermania, e cila nuk ka terminale importi për gazin e lëngshëm LNG, po sjell katër terminale lundruese, dy prej të cilëve duhet të fillojnë të funksionojnë këtë vit.

Pavarësisht përqendrimit në energjinë e rinovueshme, kriza po i shtyn vendet të kthehen drejt karburanteve fosile. Gjermania po nxiton të miratojë ligjin për të rihapur termocentralet me qymyr, si një zgjidhje e përkohshme, pavarësisht planeve për të hequr dorë tërësisht nga qymyri deri në vitin 2030.

Zëvendës kancelari Robert Habeck tha se ishte “e hidhur” t’i kthehesh qymyrit, por se “në këtë situatë, është një domosdoshmëri.” Qeveria planifikon masa për të nxitur industrinë dhe shoqëritë, që të përdorin më pak gaz natyror. Zoti Habeck gjithashtu u bëri thirrje gjermanëve të kursejnë energjinë.

LEXO EDHE:

Back to top button