Çfarë duhet të konsumoni – gjalpë apo margarinë?

Debati se cili është më i shëndetshëm - gjalpi apo margarina - ka vazhduar prej vitesh. Të dy ushqimet kanë një sasi të ngjashme yndyre, rreth 80%.

Një lugë gjelle gjalpë përmban 5 gramë yndyrë të ngopur, një pjesë e madhe e dozës së rekomanduar ditore prej 20 gramë për gratë dhe 30 gramë për burrat. Konsumimi i tepërt i yndyrnave të ngopura rrit kolesterolin LDL, i cili mund të çojë në atak në zemër ose goditje në tru.

Margarina është bërë nga një kombinim i vajrave bimorë si ai i lulediellit dhe i ullirit. Disa mund të përmbajnë sasi të vogla vaji palme ose kokosi.

Megjithatë, shumica e margarinave standarde janë të pasura me yndyrna të pangopura dhe të paktën 50% më pak yndyrë të ngopur se gjalpi. Për këtë arsye, gjithmonë duhet të lexoni me kujdes atë që shkruhet në paketim dhe të blini atë me më pak yndyrë të ngopur.

Sipas sistemit më të përdorur për klasifikimin e ushqimeve të përpunuara, gjalpi konsiderohet një ushqim i përpunuar – qumështi përzihet për të bërë gjalpë dhe mund t’i shtohet kripë. Margarina konsiderohet një ushqim ultra i përpunuar sepse mund të përmbajë përbërës si emulsifikues dhe ngjyra artificiale.

Studime të shumta kanë lidhur ushqimet ultra të përpunuara me shëndet të dobët, duke përfshirë obezitetin, diabetin e tipit 2 dhe sëmundjet e zemrës, sipas Fondacionit Britanik të Zemrës . Megjithatë, është ende e paqartë nëse duhet të shmangim konsumimin e të gjitha ushqimeve ultra të përpunuara.

Disa ushqime ultra të përpunuara si margarina, drithërat dhe buka me drithëra të plota përmbajnë lëndë ushqyese. Margarina mund të ndihmojë në uljen e niveleve të kolesterolit në gjak sepse është e pasur me yndyrna të pangopura.

Kur bëhet fjalë për ruajtjen e shëndetit të zemrës, është më mirë të zëvendësohen yndyrnat e ngopura me yndyrna të pangopura. Zëvendësimi i gjalpit me margarinë është një mënyrë për ta bërë këtë.

Megjithatë, nëse zgjidhni gjalpë apo margarinë varet edhe nga nevojat tuaja shëndetësore, si dhe nga sa e shëndetshme është dieta juaj e përgjithshme. Nëse keni kolesterol të lartë dhe/ose nëse dieta juaj është e pasur me yndyrna të ngopura nga burime të tjera, atëherë është e rëndësishme të zëvendësoni gjalpin me margarinë.

Megjithatë, nëse, për shembull, ju pëlqen të lyeni bukën e thekur me gjalpë në mëngjes dhe pjesa tjetër e dietës suaj përbëhet nga ushqime të shëndetshme, atëherë të hani një sasi të vogël gjalpi nuk do të jetë problem.

LEXO EDHE:

Back to top button