Çfarë pihet e çfarë ndalohet para marrjes së gjakut në mëngjes

Çfarë pihet e çfarë ndalohet para marrjes së gjakut në mëngjes

Ja çfarë është rreptësisht e ndaluar!

Nëse dëshironi që rezultatet e analizave të gjakut të jenë të sakta, është e rëndësishme të respektoni disa rregulla themelore, përfshirë edhe atë se çfarë pini në mëngjes.

Rregullat bazë para analizave laboratorike:

• Mos hani asgjë pas orës 19:00 një natë më parë.
• Në mëngjes, para analizave, mos pini as kafe dhe as çaj. Edhe nëse jeni konsumues i rregullt i kafeinës, duhet ta shmangni atë.

Pirja e kafesë mund të ndikojë në mënyrë të konsiderueshme në disa parametra të gjakut. Ajo mund të rrisë:

• Nivelin e glukozës në gjak
• Hormonet e stresit (kortizol, adrenalinë)
• Kolesterolin LDL

Si diuretik, kafeja gjithashtu mund të shkaktojë dehidratim të lehtë, duke ndikuar në përqendrimin e elektroliteve (si natriumi dhe kaliumi), qelizave të kuqe të gjakut dhe hematokritin, transmeton Telegrafi.

Sa kohë para analizave duhet shmangur kafeja?

Ekspertët këshillojnë që kafeja të shmanget të paktën 8 deri në 12 orë përpara marrjes së gjakut, sidomos kur analizohen:

• Glukoza
• Lipidet (trigliceride, kolesterol)
• Hormonët

Kjo periudhë i lejon trupit të rikthehet në një gjendje neutrale, duke siguruar rezultate më të sakta.

Çfarë mund të pini?

Vetëm ujë i pastër është i lejuar. Për dallim nga kafeja, uji nuk ndikon negativisht në analizat e gjakut. Përkundrazi, ndihmon në ruajtjen e hidratimit dhe e lehtëson marrjen e mostrës duke e bërë më të thjeshtë gjetjen e venave.

Çfarë analizash kërkojnë agjërim?

Duhet të vini esëll për këto analiza:

• Glukoza (GUK)
• Trigliceridet, kolesteroli total, HDL, LDL
• Vitamina B12, acid folik
• Fosfataza alkaline
• Beta-CrossLaps, osteokalcina (shënues të shëndetit kockor)
• Hekuri, kortizoli, PTH, homocisteina
• Testi i frymëmarrjejes për Helicobacter pylori

Rekomandime të tjera:

• Darka e fundit duhet të jetë e lehtë dhe të konsumohet jo më vonë se ora 19:00.
• Në mëngjesin e analizave, pini vetëm ujë.
• Për 48 orë para marrjes së gjakut, shmangni:
– Aktivitetin fizik të rëndë
– Alkoolin
– Ilaçet jo të domosdoshme (këshillohuni me mjekun tuaj)

LEXO EDHE:

Back to top button