Çfarë qëndron pas përleshjeve në Jerusalem?

Tash e sa javë, protestuesit palestinezë dhe policia izraelite janë duke u përleshur në baza ditore në dhe përreth Qytetit të Vjetër të Jerusalemit.
Atje ndodhen vendet kryesore fetare – të shenjta për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët.
Jerusalemi ka qenë, në fakt, skenë e konfrontimeve të dhunshme midis hebrenjve dhe arabëve tash e 100 vjet dhe mbetet një nga qytetet më të kontestueshme në botë.
Përleshjet e fundit filluan një muaj më parë, kur Izraeli bllokoi disa tubime të palestinezëve, në fillim të Muajit të shenjtë të Ramazanit.
Pasi ato kufizime u zbutën, plani për të dëbuar dhjetëra palestinezë nga një lagje e Jerusalemit Lindor vazhdoi të nxiste konfrontime.
Të hënën, qindra palestinezë u plagosën në përleshjet me policinë izraelite. Protestuesit hidhnin gurë në drejtim të policisë, ndërsa kjo e fundit gaz lotsjellës dhe plumba gome. Disa policë u plagosën po ashtu.
Përse Jerusalemi është gjithmonë në prag të shpërthimit?
Kryeqytet i dy popujve
Izraeli e sheh Jerusalemin si kryeqytet të tijin “të unifikuar” dhe “të përjetshëm”.
Ai e ka aneksuar Jerusalemin Lindor – i cili përfshin edhe Qytetin e Vjetër – në luftën e vitit 1967, së bashku me Bregun Perëndimor dhe Gazën.
Palestinezët i duan këto territore për shtetin e tyre të ardhshëm, ndërsa Jerusalemin Lindor e shohin si kryeqytet të shtetit të tyre.
Aneksimi i Jerusalemit Lindor nga Izraeli nuk njihet nga shumica e vendeve të botës dhe fati i kësaj pjese mbetet ndër çështjet më të komplikuara në procesin e paqes, i cili ka ngecur më shumë se një dekadë më parë.
Izraelitët, të hënën, do të shënonin Ditën e Jerusalemit, një festë kombëtare që shënon aneksimin. Në vitet e kaluara, mijëra izraelitë – kryesisht nacionalistë fetarë – marshonin nëpër Qytetin e Vjetër, duke përfshirë edhe Lagjen Myslimane, gjë që shumë palestinezë e konsideronin si provokim.
Në ditët e fundit, izraelitët nacionalistë organizuan ngjarje të tjera në Jerusalemin Lindor, që çuan në grindje të dhunshme me palestinezët.
Maja e shenjtë
Përleshjet e së hënës u zhvilluan në dhe rreth xhamisë Al-Aksa në Qytetin e Vjetër.
Xhamia është vendi i tretë më i shenjtë në Islam dhe ndodhet në një rrafshnaltë, ku gjendet edhe kupola e artë ikonike. Myslimanët i referohen kompleksit si Shenjtërorja Fisnike.
Rrafshnalta është e shenjtë edhe për hebrenjtë dhe ata i referohen asaj si Mali i Tempullit, sepse ishte vend i tempujve biblikë.
Romakët e shkatërruan Tempullin e Dytë në vitin 70 para erës sonë dhe atje mbeti vetëm Muri Perëndimor. Xhamitë u ndërtuan shekuj më vonë.
Jordania fqinje shërben si kujdestare e lokacionit. Ai është i hapur për turistët në kohë të caktuara, por vetëm myslimanët lejohen të luten atje. Muri Perëndimor është vendi më i shenjtë, ku hebrenjtë mund të luten.
Në vitet e fundit, grupe hebrenjsh fetarë dhe nacionalistë, të shoqëruar nga policia, kanë vizituar kompleksin në një numër më të madh dhe kanë mbajtur lutje në kundërshtim me rregullat e vendosura pas vitit 1967 nga Izraeli, Jordania dhe autoritetet fetare myslimane.
Palestinezët i shohin vizitat e shpeshta të hebrenjve si provokim dhe ato shpesh shkaktojnë përleshje ose dhunë edhe më serioze.
Disa izraelitë thonë se lokacioni duhet të jetë i hapur për të gjithë besimtarët. Palestinezët refuzojnë, nga frika se Izraeli do ta marrë përsipër ose do ta ndajë atë. Zyrtarët izraelitë thonë se nuk e kanë ndërmend ta ndryshojnë status quo-në./REL