Çikago me nismë identike, si Xhordani në sezonin 1997/98

Skuadra e Çikago Bullsit mposhti Toronto Raptors  me rezultatin 111-108 dhe regjistroi fitoren e katërt, në po aq ndeshje të zhvilluara në sezonin e ri. Ky fillimi perfekt i Çikagos, është identik me atë të sezonit 1997/98 kur Majkëll Xhordan drejtoi “demat” deri te titulli i pestë në NBA. Arsyeja kryesore e transformimit pozitiv të “demave” është ardhja e yllit Demar Derozan, i cili ishte më preciz në sfidën me Toronton, duke shënuar 26 pikë.

Ndeshja më dramatike u zhvillua në Sharlot, ku Hornets pësoi disfatë nga Boston Selltiku me rezultat 129-140, pas kohës shtesë, pasi që pjesa e rregullt u mbyll me rezultat 122-122. Xhejson Tatum ishte heroi i mbrëmjes me 41 pikë, 7 kërcime dhe 8 asiste, që ishte përballja e tij e tretë me mbi 40 pikë.

Ishte një mbrëmje e veçantë e qendrës lituaneze Jonas Valanciunas, i cili shënoi 20 pikë me 20 kërcime në fitoren e Nju Orlinsit ndaj Minesota Timbervollvs me rezultat 107-98, që është e para për këtë ekip në sezonin e ri.

REZULTATET: Sharlot – Boston 129-140,  Indiana – Milluoki 109-119, Atlanta – Detroit 122-104, Bruklin– Uashington 104-90, Majami – Orlando 107-90, Toronto – Çikago 108-111, Denver – Klivlend 87-99, LA Klipers – Portland 116-86.

LEXO EDHE:

Back to top button