Cikloni i fuqishëm godet Bangladeshin dhe Mianmarin

Cikloni i fuqishëm godet Bangladeshin dhe Mianmarin

Një ciklon i fuqishëm ka goditur brigjet e Bangladeshit dhe Mianmarit, teksa stuhia u intensifikua dhe tani është e barasvlershme me stuhi të kategorisë së pestë.

Cikloni Mocha ka sjellë shira dhe erëra deri në 195 kilometra në orë, që mund të shkaktojnë vërshime të rrezikshme në tokën përreth Gjirit të Bengalit.

Nëse valët e detit arrijnë deri në katër metra lartësi, atëherë disa fshatra, që gjenden në nivel më të ulët, mund të goditen.

Parashikuesit e motit kanë thënë se cikloni Mocha mund të jetë stuhia më e fuqishme që godet Bangladeshin në pothuajse dy dekada dhe rreth 500.000 persona janë evakuuar në zona të sigurta për shkak të stuhisë.

Shirat e mëdha dhe erërat e fuqishme kanë goditur këtë rajon dhe ka raportime se më së rëndi është goditur qyteti Sitve në Mianmar. Në këtë qytet, linjat e internetit dhe rrymës janë dëmtuar dhe sipas videove të postuara, rrugët e këtij qyteti janë vërshuar. Ekipet e shpëtimit kanë thënë se kanë pranuar shumë thirrje nga qytetarë që kërkojnë ndihmë si pasojë e vërshimeve, por situata është e rrezikshme që ekipet të arrijnë në vendin e ngjarjes.

Po ashtu, sipas videove të postuara, stuhia ka shkaktuar dëme të mëdha në shtëpitë e qytetarëve. Mediat lokale kanë raportuar se një djalë 14 vjeç ka humbur jetën pas rrëzimit të një peme në shtetin Rakine të Mianmarit.

Edhe në Bangladesh, stuhia ka detyruar që banorët të strehohen në shkolla dhe manastire. Qeveria ka lëshuar një paralajmërim për rrëshqitje të dheut dhe ka bërë thirrje që qytetarët të shmangin zonat afër bregdetit.

Cikloni Mocha u parapa që do të sillte shira që do të shkaktonin rrëshqitje të tokës. Shqetësime të mëdha ka për shumë refugjatë rohigya që jetojnë në kampe në bregun perëndimor të Minamarit.

 

 

LEXO EDHE:

Back to top button