Cila kafshë ka shikimin më të mirë?

Cila kafshë ka shikimin më të mirë?

Imagjino të jesh një shqiponjë me bisht të kuq, duke fluturuar lart në qiell. Vështron tokën dhe dallon një ketër qindra metra më poshtë. Edhe pse ngjyrat e tij e ndihmojnë të maskohet me ambientin, ato nuk janë të mjaftueshme për t’i shpëtuar shikimit tënd të mprehtë.

Shpendët grabitqarë si shqiponjat, skifterët dhe fajkonjtë njihen për shikimin e tyre të përqendruar, por a janë vërtet ata më të mirët?

Përgjigjja varet nga ajo që nënkuptojmë me “më i miri”. Shikimi ndryshon ndjeshëm sipas nevojave dhe mjedisit të çdo kafshe.

“Nuk ka sistem perfekt të të parit,” thotë Esteban Fernandez-Juricic, profesor i shkencave biologjike në Universitetin Purdue. Sytë kërkojnë shumë energji, ndaj evolucioni favorizon efikasitetin dhe përshtatjen ndaj sjelljes dhe mjedisit të kafshës.

Shikimi më i mprehtë: grabitqarët

Shqiponjat, skifterët dhe fajkonjtë kanë një shikim rreth 3–5 herë më të detajuar se ai i njeriut. Me sy të mëdhenj dhe shumë receptorë drite në retinë, ata mund të dallojnë prenë nga kilometra, si të kishin dylbi të ndërtuara brenda syve.

Shikimi më i fort me ngjyra: karkaleci mantidë
Karkaleci mantidë, një kafshë detare që jeton në ujëra të cekëta, ka shikimin më kompleks për sa i përket ngjyrave. Njerëzit kanë tre lloje receptorësh për ngjyra (të kuqe, jeshile dhe blu), ndërsa shumë kafshë kanë katër. Karkaleci mantidë ka 12! Disa prej tyre janë të ndjeshëm edhe ndaj dritës ultraviolet dhe polarizimit të saj.

Por kjo nuk do të thotë se ata “shohin” më shumë ngjyra si ne, truri i tyre mund të përpunojë informacionin në mënyrë të ndryshme, duke njohur modele ngjyrash në vend të çdo ngjyre individuale.

“Nuk përpiqen të shohin katër herë më shumë se ne,” shpjegon biologu Justin Marshall. “Thjesht e deshifrojnë ndryshe informacionin.”

Shikimi më i shpejtë: insektet

Njerëzit përpunojnë rreth 60 imazhe në sekondë. Insektet shikojnë shumë më shpejt,  qindra imazhe për sekondë. Prandaj është kaq e vështirë të kapësh një mizë; ajo të sheh përpara se të afrohesh.

Trupat e tyre të vegjël u japin përparësi, sinjalet elektrike nga sytë në tru udhëtojnë më shpejt, duke i lejuar të reagojnë menjëherë.

Kompromiset

Pavarësisht avantazheve të tyre, këto sisteme vizuale kanë kufizime. Karkaleci mantidë dhe insektet kanë sy të përbërë nga njësi të vogla (ommatidia), gjë që u jep një pamje më pak të qartë, si një foto me shumë pak piksel. Pra, edhe pse mund të shohin më shumë ngjyra apo më shpejt, nuk shohin aq qartë sa ne.

Po sytë e njeriut?

Ndonëse nuk jemi më të mirët në asnjë kategori, sytë tanë janë një mesatare shumë e mirë. Ne balancojmë mirë rezolucionin, perceptimin e ngjyrave dhe lëvizjen.

“Njerëzit janë një kompromis i mirë,” thotë biologu Thomas Cronin. “Nuk do të doja të isha një karkalec mantidë… jam i kënaqur me sytë e mi.”

Nuk ka një kafshë me shikimin më të mirë në të gjitha drejtimet. Grabitqarët shquhen për mprehtësi, karkalecat mantidë për ndjeshmëri ndaj ngjyrave, dhe insektet për shpejtësi. Çdo sistem është përshtatur për nevojat e vet dhe ka kufizimet e tij. Edhe pse njerëzit nuk udhëheqin në ndonjë kategori të veçantë, kemi një sistem të balancuar dhe shumë funksional.

LEXO EDHE:

Back to top button