Cili është prokurori i drogës që u vra në plazhin kolumbian?
Cili është prokurori i drogës që u vra në plazhin kolumbian?

Prokurori paraguaian, Marcelo Pecci i cili udhëhoqi një sërë çështjesh të profilit të lartë kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, është qëlluar për vdekje.
Kjo, teksa ishte në muajin e mjaltit në një plazh kolumbian me gazetaren e njohur dhe bashkëshorten e tij Claudia Aguilera.
Lajmi u bë i ditur nga agjencitë perëndimore, duke cituar mediat vendase.
Ata po kalonin muajin e mjaltit në një hotel në gadishullin Baru në bregun e Karaibeve të Kolumbisë.
Dy atentatorët mbërritën në plazhin privat të hotelit me jetski, sipas Aguilera-s, e cila nuk u lëndua gjatë sulmit.
Njëri prej tyre u afrua dhe “pa thënë asnjë fjalë qëlloi dy herë Marcelo-n, një herë në fytyrë dhe një herë në shpinë”, zbuloi ajo.
Disa orë para sulmit, Aguilera kishte postuar lajmin se ishte në pritje të një fëmije në rrjetet sociale.
Vrasja bëri bujë në Paraguaj duke tronditur opinionin publik – i cili ka parë një rritje të vrasjeve me pagesë.
Këto, të lidhura me fuqinë në rritje të krimit të organizuar.
Në Kolumbi, shumë shqetësohen se kjo mund të parashikojë një kthim në momentet më të errëta të historisë së vendit.
Kohë kur, bosët e drogës si Pablo Escobar mund të urdhëronin vrasje të zyrtarëve publikë.
Policia kolumbiane ofroi një shpërblim prej 2 miliardë pesos për informacione që do të çojnë në kapjen e atentatorëve.
Autoritetet vendase deklaruan se pamjet nga kamerat e hotelit zbuluan se personat e armatosur kishin vëzhguar hotelin përpara se të kryenin vrasjen.
Marta Lucía Ramírez, zëvendëspresidentja dhe ministrja e Jashtme e Kolumbisë, shkroi në Twitter për “dënimin absolut” të vrasjes, duke shtuar se policia kolumbiane po punonte ngushtë me prokurorin e përgjithshëm të Paraguai-t.
Presidenti i Paraguai-t, Mario Abdo Benítez, dënoi gjithashtu vrasjen “burracake”, duke thënë se “i gjithë kombi paraguaian është në zi”.
Pecci, 45 vjeç, kishte punuar me disa raste të profileve të vrasjeve me pagesë në Paraguaj gjatë kohëve të fundit.
Ai drejtoi veçanërisht një hetim për vrasjen e një trafikanti droge, Marcos Rojas Mora, në një turmë prej 20 mijë vetësh në një festival muzikor në qytetin e San Bernardino në janar.
Paraguai ka parë një rritje të mprehtë të numrit të vrasjeve me pagesë.
Kjo, ndërsa grupet e krimit të organizuar si Komanda e Parë e Kryeqytetit të Brazilit dhe bandat e Komandës së Kuqe zgjerojnë ndikimin e tyre.
Përveç të qenit prodhuesi më i madh i marijuanës në rajon, Paraguaj është tani rruga kryesore për lëvizjen dhe përpunimin e kokainës boliviane në rrugën drejt Evropës.