Cili frut ka tre herë më shumë kalium se një banane dhe ndihmon kundër presionit të lartë të gjakut?
Presioni i lartë i gjakut ose hipertensioni është një gjendje e zakonshme mjekësore.

Edhe pse numri i personave që vuajnë nga hipertensioni është i lartë, shumë qytetarë nuk e dinë se e kanë atë, duke qenë se gjendja pothuajse nuk ka simptoma.
Tensioni i lartë i gjakut diagnostikohet tek ata që kanë vlera të presionit të gjakut më të larta se 140/90 mmHg. Zemra e tyre duhet të punojë më shumë për të pompuar gjakun nëpër trup, dhe me kalimin e kohës kjo e ngarkon zemrën, si dhe organet e tjera dhe enët e gjakut dhe mund të shkaktojë dëme të pariparueshme. Hipertensioni është gjithashtu një faktor në shumë gjendje dhe sëmundje serioze shëndetësore, duke përfshirë sëmundjet e zemrës, sëmundjet e veshkave, goditjet në tru, dështimin e zemrës dhe sulmin në zemër.
Një nga shkaqet e presionit të lartë të gjakut është dieta, veçanërisht ushqimi me përmbajtje të lartë kripe. Megjithatë, ashtu si kripa mund të rrisë presionin e gjakut, ka edhe ushqime që mund ta ulin atë. Kaliumi është një mineral që gjendet në ushqime të caktuara dhe mund të lehtësojë disa nga problemet e shkaktuara nga marrja e tepërt e natriumit. Prandaj, thuhet se konsumimi i ushqimeve të pasura me kalium mund të ndihmojë ata që vuajnë nga hipertensioni.
“Ushqimet që janë të pasura me kalium janë të rëndësishme në kontrollin e presionit të lartë të gjakut, sepse kaliumi redukton efektet e natriumit. Sa më shumë kalium të hani, aq më shumë natrium humbisni në urinë. “Kaliumi gjithashtu ndihmon në uljen e tensionit në muret e enëve të gjakut, gjë që ndihmon më tej në uljen e presionit të gjakut”, thotë Shoqata Amerikane e Zemrës (AHA).
Bananet shpesh konsiderohen si një burim kryesor i kaliumit. Çdo 100 gram banane përmban 330 mg kalium. Megjithatë, ka edhe një frut tjetër që përmban edhe më shumë kalium. E kemi fjalën për kajsitë e thata që kanë rreth 1162 mg kalium për 100 gram produkt.

“Meqenëse kajsitë e thata përmbajnë kalium, ato mund të ulin nivelin e presionit të gjakut. Hulumtimet kanë treguar se kaliumi mund të ulë presionin e lartë të gjakut te pacientët me hipertension”, shton AHA.
Kajsitë e thata janë gjithashtu të lidhura me përmirësimin e shëndetit të zemrës, shëndetin e syve, shëndetin e sistemit imunitar dhe zvogëlimin e rrezikut të diabetit.