​Çitaku: Kurti të reflektojë, Kosova është më e madhe se egoja e tij

​Çitaku: Kurti të reflektojë, Kosova është më e madhe se egoja e tij

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku tha natyra e relacionit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk varet vetëm nga kush është në Shtëpinë e Bardhë, por edhe nga kush e drejton Qeverinë e Kosovës.

Ajo potencoi se në krye të vendit është një kryeministër në largim që e ka izoluar Kosovën.

Pas dështimit të seancës konstituive, Çitaku tha se është momenti i fundit që Lëvizja Vetëvendosje të reflektojë.

“Administrata e parë e presidentit Trump ka një trashëgimi pozitive në Ballkanin Perëndimor. Gjatë asaj administrate është bërë anëtarësimi i Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut në NATO. Është bërë ushtria e Kosovës. Kemi pranuar njohje ndërkombëtare. Natyra e relacionit mes Kosovës dhe SHBA-së nuk diktohet vetëm nga kush është në shtëpi të bardhë, por diktohet edhe kush udhëheqë me qeverinë e Republikës së Kosovës. Fatkeqësisht kemi në krye të vendit një kryeministër në largim i cili e ka izoluar Kosovën. 26 vite pas luftës aleatët që na ndihmuan të çlirohemi e të ndërtojmë shtetin e kanë sanksionuar Kosovën”, Çitaku.

Para gazetarëve, Çitaku potencoi se Kosova është më e madhe sesa egoja e tij personale, derisa iu referua kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Është momenti i fundit që Lëvizja Vetëvendosje, deputeti Kurti të reflektojë. Bota po ndryshon çdo ditë drastikisht dhe dramatikisht. Kosova nuk guxon të sillet me kësi lloj indiference dhe papërgjegjësie. I bëjmë apel zotrit Kurti që të reflektojë. Kosova është më e madhe sesa egoja e tij personale”, tha Çitaku.

Ajo tha se në seancë konstituive do të duhej mbledhur për të shkarkuar bordin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, sepse siç tha Çitaku është instrumentalizuar nga LVV-ja.

“Ne në këtë seancë do të duhej të ishim të mbledhur për të shkarkuar bordin e ZRRE-së i cili është instrumentalizuar në plotni nga LVV-ja dhe zotri Kurti dhe nuk po i mbron më interesat e qytetarëve të Kosovës. Nuk bëhet fjalë vetëm për biznese e pronarë. Bëhet fjalë për ekonominë e vendit. Bëhet fjalë për 140 mijë punëtorë”, tha Çitaku.

Sot, ka dështuar për herë të tridhjetë e tretë seancë konstituive e Kuvendit të Kosovës.

LEXO EDHE:

Back to top button