Çka do të ndodh me grupin parlamentar të VLEN-it, pasi iku ASH-ja?

Çka do të ndodh me grupin parlamentar të VLEN-it, pasi iku ASH-ja?

Gazetare: Fatlume Dervishi

Grupi parlamentar i VLEN nuk ka vendosur akoma se si do të vazhdojë organizimi i tyre në Kuvend, tani që ASH-ja vendosi të ndajë rrugët me pjesën tjetër të koalicionit. Burime nga grupi i deputetëve thonë se për këtë çështje akoma nuk ka asnjë vendim.

Ndarja eventuale e pesë deputetëve që, sipas kreut të ASH-së Arben Taravari janë në anën e tij, nga nëntë deputetët e tjerë të koalicionit VLEN, mund të nënkuptojë edhe zhvendosje të pozitave të krerëve të komisioneve parlamentare dhe anëtarëve nëpër këto komisione. Ndarja e kryesimit të komisioneve dhe anëtarëve bëhet me marrëveshje mes koordinatorëve të grupeve parlamentare dhe me propozim të kreu i Kuvendit Afrim Gashi. Për momentin, deputetët e VLEN drejtojnë komisionin e Dixhitalizimit dhe Transportit me të cilin kryeson Bekim Qoku dhe Komisionin për Kulturë dhe Turizëm, me të cilin kryeson Saranda Imeri Stafai.

Krijimi i një grupi të veçantë parlamentar nga pesë deputetët e ASH-së së Taravarit, mund të nënkuptojë edhe kërkesë nga këto të fundit për të drejtuar me njërin nga komisionet parlamentare.

Megjithatë, deri tani, asnjëra palë nga grupi parlamentar nuk pranon të jetë diskutuar për këto çështje, qoftë brenda grupit dhe qoftë në partitë nga të cilat vinë. Visar Ganiu nga VLEN, ditë më parë për Alsat tha se nuk ka më kuptim që grupi parlamentar të vazhdojë ashtu si është.

Grupin parlamentar të koalicionit VLEN tani për tani e përbëjnë 14 deputetë. Pesë deputetë janë të Aleancës për Shqiptarët, nga 3 të Lëvizjes Demokratike dhe Alternativës, 2 të Lëvizjes BESA dhe 1 deputet i pavarur, respektivisht Bekim Qoku. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button