Çka tha Fetai mbrëmë në Alsat?
Çka tha Fetai mbrëmë në Alsat?

Gazetar: Suad Bajrami
Zëvendëskryeministri Arben Fetai i cili është pjesë e grupit të Aleancës për Shqiptarët që nuk e lëshoi qeverinë, mbrëmë në Alsat shpalosi skenarin e BDI-së me të cilin është synuar shkatërrimi i koalicionit VLEN nëpërmjet joshjes së Aleancës për Shqiptarët duke i ofruar disa komuna.
“Skenari ishte që të shkaktohet krizë politike siç e thash brenda shumicës parlamentare që të shkaktohen menjëherë zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe vendi të shkojë në zgjedhje të dyfishta, lokale dhe parlamentare. Ky është plani. Zbatimi i këtij plani kalonte përmes bashkëpunimit midis Aleancës për Shqiptarët dhe BDI-së. Në këmbim të këtij shërbimi që i bëhet Ali Ahmetit dhe BDI-së për t’u rikthyer në qeveri, Aleanca për Shqiptarët do të ishte dashur të fitonte 6 komuna. Është folur, konkretisht për Likovën, Sarajin, Tearcën, Vrapçishtin, Gostivarin dhe Strugën. Pra, çmimi i rikthimit të Ali Ahmetit ishte dhënia e këtyre 6 komunave zotit Taravari”, tha Arben Fetai, zëvendëskryeministër.
Megjithatë, sipas Fetait plani i cili është përgatitur nga i arratisuri Artan Grubi, ka dështuar dhe kjo dëshmohet me faktin që Arben Taravari me daljen nga qeveria mori vetëm një grup të vogël të anëtarësisë.
“Realisht, aty janë një grup i vogël njerëzish të mbledhur rreth tij, kryesisht njerëz të kryesisë së ngushtë të partisë të cilët për interesa të caktuara kanë zgjedhur këtë rrugë që është rrugë e një shërbimi që është dashur t’i bëhet BDI-së, një plan i menduar në Reçicë të Vogël, i menduar nga Artan Grubi i Listës së Zezë Amerikane, por i cili fatmirësisht për shkak të mobilizimit dhe rezistencës të jashtëzakonshme të strukturave të Aleancës për Shqiptarët dhe përkrahjes së partnerëve tonë rajonal dhe ndërkombëtar ka dështuar”, u shpreh Arben Fetai, zëvendëskryeministër.
Në lidhje me zgjedhjet lokale, Fetai theksoi që në tetor partitë shqiptare do të garojnë në dy blloqe, respektivisht mes VLEN-it dhe BDI-së. / Alsat.mk