Çmimet në Ohër po thyejnë rekorde, më shumë se 3 euro për një kafe

Çmimet në Ohër po thyejnë rekorde, më shumë se 3 euro për një kafe

Gazetar: Miki Trajkovski

Kjo verë mund t’jua bëjë pushimet në Ohër të hidhura. Pija e kafesë pranë Liqenit të Ohrit po bëhet luks ndërsa çmimet variojnë nga 120 deri në 180 denarë. Edhe çmimet e ushqimit po thyejnë rekorde. Për një picë do t’ju duhen rreth 8 euro, një top akullore kushton nga 70 deri në 120 denarë, ndërsa një birrë vendore nga 150 deri në 250 denarë. Një drekë për një familje tre anëtarëshe në restorant fillon nga 2000 denarë e lart, në varësi të lokacionit. Edhe pse zëvendësministri i Ekonomisë, Marjan Ristevski, javën e kaluar nga Ohri njoftoi se ekzistojnë mekanizma të ndryshëm për të reaguar, nga dikasteri reterojnë, gjë që tregon për mospërputhje qëndrimesh.

“Në ekonomi të lirë të tregut, formimi i çmimeve nuk rregullohet në mënyrë të centralizuar, por çdo manipulim, fshehje e të ardhurave reale dhe dezinformim i konsumatorit është i dënueshëm sipas dispozitave ligjore në fuqi”, njoftojnë nga Ministria e Ekonomisë.

“Duhet të kenë çmime më normale, sepse është fillimi i sezonit veror dhe duhet ta bëjnë këtë. Nëse nuk e bëjnë, atëherë kemi masa dhe mundësi të ndryshme për të reaguar. Gjithmonë ekonomia e tregut duhet t’i formulojë çmimet, dhe kudo që të shohim se nuk ka logjikë tregu, ne do të reagojmë”, tha Marjan Ristevski – zëvendësministër i Ekonomisë.

Qytetarët thonë se me çmime kaq të larta, Ohri po i largon mysafirët.

“Është tmerr dhe ne presim mysafirë. Mendoni se me këto çmime Ohri nuk mund të tërheqë mysafirë? Jo, aspak. Prandaj është kështu siç është. Ora është 11 dhe qyteti është bosh. Ata mendojnë se për dy muaj do ta mbushin sezonin. Por nuk funksionon ashtu. Vajza ime shkon në Egjipt, nuk vjen këtu, sepse atje çmimet janë shumë më të përballueshme sesa këtu”, u shpreh një turist.

Për dallim nga Ohri, turistët thonë se në anën tjetër të liqenit, në Pogradec, çmimet janë më të përballueshme.

“Për 10 euro ke drekë – troftë, raki, sallatë dhe verë për dy veta, dhe shalqi falas. Njerëzit bëjnë reklamë”, tha një tjetër turist.

“Është jashtëzakonisht shtrenjtë për kushtet tona maqedonase – është katastrofë. Blejmë nëpër dyqane dhe ashtu kalojmë. Kush ka mundësi të hyjë në ndonjë lokal e të harxhojë 5000-6000 denarë vetëm për të pirë diçka? Birra kushton 220-240 denarë e më lart. Ohri është kulmi i shtrenjtësisë në Maqedoni”, theksoi një tjetër turist.

“Mendoj se kjo i dekurajon njerëzit, sepse nuk ka shumë ndryshim në çmime në Greqi dhe këtu në Ohër dhe mendoj se njerëzit do të preferonin të shpenzonin të njëjtat para në bregdet sesa të vinin në qendrat tona turistike lokale, gjë që mendoj se është humbje e madhe”, u shpreh një turist.

Për një qëndrim shtatëditor në Ohër do të duhet të shpenzoni, si në Antalia. Aktualisht Ohri është gjysmë bosh. Për shkak të çmimeve më të larta, disa nga operatorët turistikë nga Holanda dhe Polonia e kanë anuluar ofertën. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button