Çokollata e Dubait nuk është për të gjithë: Kush duhet të jetë i kujdesshëm?
E gjithë bota është çmendur pas çokollatës së njohur “Dubai”, por çfarë efektesh ka kjo ëmbëlsirë në shëndet?
Çokollata popullore me përbërësit e saj – fëstëkë, tahini dhe kadaif i pjekur tërhoqi një numër të madh njerëzish. Megjithatë, çmimi i lartë i saj nuk është problemi i vetëm që lidhet me këtë ëmbëlsirë. Ndonëse tërheq vëmendjen me pamjen e saj luksoze dhe shijen e parezistueshme, nutricionistja Merve Bajram paralajmëron efektet e dëmshme të kësaj çokollate.
“Sheqeri, yndyra, kafeina dhe përbërës të tjerë në çokollatën e Dubait mund të ndikojnë negativisht në tretje, duke shkaktuar nauze, gazra dhe ngërçe, veçanërisht te njerëzit me sistem të ndjeshëm tretës”, shpjegon Bajram.
Çokollata “Dubai”, e pasur me fëstëkë, mund të jetë e rrezikshme për personat alergjikë ndaj kësaj arrë. Bajram paralajmëron: “Kremi i kikirikut dhe susamit mund të shkaktojë reaksione të rënda alergjike, ndërsa gluteni në kadaif është problem për personat me sëmundje celiac ose intolerancë ndaj glutenit. Kadaifi i pjekur mund të jetë i vështirë për t’u tretur për disa, por ka më pak gjasa të shkaktojë reaksione alergjike.”
Bajram tregon se çokollata “Dubai” përmban shumë sheqer, i cili shpejt rrit nivelin e glukozës në gjak, stimulon sekretimin e insulinës dhe me kalimin e kohës mund të çojë në rezistencë ndaj insulinës dhe të rrisë rrezikun e diabetit të tipit 2.