“Conclave” dhe Demi Moore fituesit kryesorë në Çmimet SAG
“Conclave” dhe Demi Moore fituesit kryesorë në Çmimet SAG

“Conclave” është fituesi i madh i Çmimeve të Screen Actors Guild (SAG) që u mbajt të dielën. Kjo dramë fitoi çmimin kryesor të ceremonisë dhe çmimin për kastën më të mirë vetëm një javë pasi mori çmimin për filmin më të mirë në Çmimet Bafta.
Fituesit e tjerë përfshijnë Demi Moore dhe Timothée Chalamet, të cilët do të garojnë në Çmimet Oscar të dielën.
Aktori britanik Ralph Fiennes pranoi çmimin e “Conclavet”, duke falënderuar regjisorin Edward Berger për “perceptimin, depërtimin dhe kujdesin e tij”.
Gjatë ceremonisë, bashkëpunëtorja e tij Isabella Rossellini, tha se kasti i filmit dëshiron t’i urojë Papa Françeskut shërim të shpejtë, pasi u diagnostikua me pneumoni.
“Conclave”, që fokusohet në një grup kardinalësh në Romë, nuk arriti të fitojë asnjë çmim tjetër, por fitorja në kategorinë më të lartë e lë atë në pozicion të fortë për Oscars më 2 mars.
Demi Moore, e cila pranoi çmimin “aktorja më e mirë”, ka thënë se ky çmim është arritje e jashtëzakonshme dhe kuptimplote për të.
“Jam mirënjohës që kam vazhduar gjatë këtyre vitesh të jem në gjendje të provoj, ndonjëherë të kem sukses dhe ndonjëherë të dështoj, por të jem në gjendje të vazhdoj”, ka thënë ajo.
Ylli i “Real Pain”, Kieran Culkin, u shpall aktori më i mirë dytësor për interpretimin e tij.
“Faleminderit Sag-Aftra për këtë çmim tepër të rëndë”, tha ai me shaka teksa iu dorëzua trofeu në skenë.
Ai e përshkroi çmimin si “nder të madh” dhe falënderoi motrën e regjisorit të tij, Jesse Eisenberg, që e ka rekomanduar për këtë rol.
Zoe Saldaña dominoi në kategorinë e aktores dytësore për rolin e saj në muzikalin në gjuhën spanjolle “Emilia Pérez”.
“Aktorët tani më shumë se kurrë më parë duhet të tregojnë histori që janë të bukura dhe që provokojnë mendime dhe jetojnë brenda spektrit të lirisë artistike”, ka thënë ajo.
“Wicked” u kthye në shtëpi duarbosh nga SAG pavarësisht se pati më së shumti nominime.
Seriali më i mirë komedi shkoi për “Only Murders In The Building”, me yllin Selena Gomez që u shfaq e shokuar për këtë çmim teksa e pranoi.
“Ne kurrë nuk fitojmë, kjo është kaq e çuditshme. Jam shumë mirënjohëse, shkrimtarët, të gjithë e meritojnë këtë, po e kthej këtë në Nju Jork për sezonin e pestë”, ka thënë ajo.
Ceremonia u drejtua nga ylli i {Nobody Wants This”, Kristen Bell, e cila hapjen e bëri duke përshëndetur zjarrfikësit e Los Anxhelosit që ishin në audiencë.
Punonjësit e Departamentit të Zjarrfikësve të Los Anxhelosit u ftuan në këtë ngjarje në shenjë mirënjohjeje për shërbimin e tyre gjatë zjarreve të fundit të qytetit që lanë 29 të vdekur dhe mijëra shtëpi të shkatërruara.