Conte u kërkon pro-europianëve të shpëtojnë qeverinë e tij

Kryeministri italian, Giuseppe Conte u kërkoi sot deputetëve pro-europianë dhe liberalë të bashkohen në shpëtimin e shumicës së tij të koalicionit pas braktisjes së një partie të vogël dhe për të shmangur gjithashtu mbërritjen në pushtet të të djathtëve sovranistë.

Mes krizës shëndetësore, që ka justifikuar masat e reja kufizuese këtë fundjavë, qeveria e koalicionit, krijuar që prej shtatorit 2019, është e kërcënuar të rrëzohet pas dorëheqjes së dy ministrave dhe një sekretari shteti të Italia Viva, formacion i vogël i drejtuar nga ish-kryeministri,  Matteo Renzi (2014-2016).

Conte mori sot fjalën në Dhomën e Deputetëve, ku partnerët e koalicionit, Partia Demokrate (PD, qendra e majtë) dhe Lëvizja Pesë Yjet (M5S, anti-sistem) kanë maxhorancën.

Ndërsa mbronte rekordin e tij, ai sulmoi ish-aleatin e tij Renzi, duke lënë të kuptohet se do jetë e vështirë për të që të formojë një qeveri të riorganizuar me atë.
“Le ta themi sinqerisht: nuk mund ta fshijmë të kaluarën. Është koha të kthejmë faqen”, deklaroi Giuseppe Conte.
“Ky vend meriton një qeveri të bashkuar që punon me kohë të plotë për mirëqenien e qytetarëve të tij”, shtoi ai.
 Ai më pas kërkoi mbështetje të qartë dhe transparente nga të gjithë deputetët që identifikohen me bazën e traditave më fisnike eropiane, liberale, popullore dhe socialiste, duke ngritur indirekt spektrin e sovranistëve që vijnë në pushtet.

LEXO EDHE:

Back to top button