Covid-19 në SHBA, regjistrohen mbi 3 mijë viktima brenda një dite

Shtetet e Bashkuara të Amerikës raportuan 3 112 viktima nga Covid-19 në 24 orët e fundit dhe mbi 220,000 infeksione të reja, sipas të dhënave nga Universiteti Amerikan Johns Hopkins.

Zyrtarët shëndetësorë amerikanë e kishin pritur një rritje të tillë, pasi miliona amerikanë udhëtuan për Falënderimet dy javë më parë, pavarësisht thirrjeve për të qëndruar në shtëpi.

Kalifornia regjistroi një rekord të lartë dje me më shumë se 30,000 raste të reja me koronavirus.

Zyrtarët amerikanë të shëndetësisë shtuan përgatitjet për një fushatë historike të vaksinave ndaj koronavirusit përpara miratimit të pritshëm nga agjencia rregullatore federale, ndërsa ligjvënësit në Kongres debatuan të mërkurën për kushtet e një pakete lehtësimi ekonomik nga COVID-19.

Disa zyrtarë thanë se vaksinimet mund të fillojnë ndoshta këtë fundjavë dhe shtetet kanë përshkallëzuar planet për atë që ka të ngjarë të jetë një përpjekje për shpërndarjen në dimensione të papara.

Një panel ekspertësh të pavarur të mjekësisë pritet të takohet të enjten për të vendosur nëse do të rekomandojë që vaksina e prodhuar nga kompania Pfizer Inc dhe kompania partnere gjermane BioNTech SE, duhet të marrë autorizimin e përdorimit emergjent të Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA).

Vendi më i prekur në botë në terma absolutë nga pandemia, SHBA-ja deri më tani ka numëruar gjithsej 15,38 milionë infeksione dhe 289,000 vdekje.

LEXO EDHE:

Back to top button