Covid-19, nuk konfirmohet efikasiteti i trajtimit me plazmën e gjakut

Autoritetet shëndetësore në vend janë të ndarë në vlerësimet rreth efikasitetit të plazmës së gjakut për trajtimin e pacientëve me Covid-19. Në mungesë të ilaçit për kurimin e sëmundjes së Covid-19, që shkaktohet nga koronavirusi i ri (SARS-CoV-2), institucionet kompetente në vend, si në shumë vende të tjera në botë, në fund të muajit prill gjatë vitit të kaluar, miratuan përdorimin e plazmës konvaleshente të gjakut si terapi. Ky vendim erdhi pasi kjo metodë është përdorur edhe më herët nga mjekësia, për trajtimin e pacientëve me SARS, EBOLA dhe H1N1.

Por edhe pse kjo terapi ka rezultuar e suksesshme për sëmundjet e lartpërmendura, asnjë studim shkencor nuk ka vërtetuar efikasitetin e plotë të plazmës së gjakut për Covid-19. Pas më shumë se një viti që nga shpallja e pandemisë si pasojë e COVID-19, provat klinike që vërtetojnë efikasitetin e terapisë janë shumë të pakta.

Dr. Fadil Cana, infektolog që është në vijën e parë të përballjes që nga fillimi i pandemisë shprehet skeptik për sa i përket këtij trajtimi “Edhe pse shumë kërkues dhe klinicistë e kanë parë të arsyeshme që të provojnë në fillimet e pandemisë terapinë me plazmë konvaleshente, të dhënat aktuale janë shumë të kufizuara dhe kërkuesit shkencorë anembanë botës e kanë pasur shumë të vështirë të provojnë efektivitetin e kësaj terapie”.

Megjithatë, a ia vlen të përdoret kjo metodë ose a mundet të jetë e dëmshme për shëndetin një metodë trajtimi, efikasiteti i të cilës nuk është pavërtetuar? Fadil Cana shprehet “Do isha përgjigjur se po ia vlen, pasi që së fundmi hulumtimet dhe publikimet e deritashme sugjerojnë se  është përgjithësisht terapi e padëmshme, edhe pse nuk thuhet që është terapi efektive, ajo mund të rezultojë efikase pasi indikacione biologjike dhe klinike për të ka, edhe pse mungojnë të dhënat bindëse.”

Plazma është pjesë përbërëse e lëngshme e gjakut, 95 për qind e të cilës është ujë, ndërsa pjesa tjetër përbëhet nga proteinat. Në plazmë ka edhe antitrupa.

Nga Klinika Infektive në Shkup thonë se terapia është treguar efikase në mjaftë raste, sidomos kur është dhënë në 10 ditët e para të trajtimit, por nuk mohojnë rastet kur edhe nuk ka pasur rezultate dhe pacientët kanë përfunduar me fatalitet përkundër këtij trajtimi.

“Trajtimi me plazmë konvalescente i pacientëve me Covid-19 është treguar mjaft efikas në 10 ditët e para të trajtimit të sëmundjes. Antitrupat pasivë mund të neutralizojnë drejtpërdrejt patogjenët, në këtë mënyrë zvogëlojnë dëmtimin e tërësishëm të organeve, bllokojnë dëmtimet shtesë të imunitetit. Sigurisht që ka pacientë që edhe për kundër trajtimit me plazmë konvalescente kanë ndërruar jetë, kryesisht janë pacientë me pasqyrë të rëndë klinike, pacientë me komorbiditete që zhvillojnë ndërlikime”, thonë nga Klinika Infektive.

Terapia funksionon ashtu që antitrupat kundër virusit korona që i zhvillojnë tashmë të kuruarit nga Covid-19, pas transfuzionit vazhdojnë betejën me sëmundjen në organizmin e pacientit të sëmurë që pranon plazmën konvaleshente. Por para se të dhurojnë gjak për plazmë, donatorët duhet të plotësojnë disa kritere.

SHËRIMI DHE DHURIMI I PLAZMËS SË GJAKUT PËR TRAJTIMIN E PACIENTËVE TË TJERË

Drejtori i Institutit për Mjekësi të Transfuzionit, Sadulla Useini, informon se deri me 15 shkurt të këtij viti, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 87.960 të shëruar nga Covid-19, ndërsa për të njëjtën periudhë, respektivisht deri më 15 shkurt janë paraqitur rreth 3.000 të interesuar për të dhuruar plazmë të gjakut, 2.000 prej tyre kanë plotësuar kushtet preliminare, ndërsa pas testimeve në Institut, është konstatuar se vetëm 50 për qind, ose 1.000 prej tyre mund të jenë donatorë. Prej tyre janë siguruar gjithsej 851 njësi të  plazmës konvalescente.

“Deri më tani janë trajtuar 687 pacientë me plazmë konvalescente. Ne vazhdojmë të mbështesim kolegët tanë. Kovid-Qendrat dhe repartet infektive kanë nevojë të vazhdueshme për plazmë konvaleshcente për trajtimin e pacientëve me Covid – 19, jemi shumë të kënaqur që mund t’u sigurojmë pacientëve tanë këtë mënyrë të trajtimit”, tha Sadulla Useini, drejtor në Institutin për Mjekësi të Transfuzionit në Shkup.

Fillimisht institucionet kërkojnë dëshmi që dhuruesi ka qenë i sëmurë me Covid-19 por edhe që kanë kaluar së paku 21 ditë që pacienti i shëruar nuk ka pasur simptome. Pas tre testeve negative merret mostër për verifikuar koncentrimin e mjaftueshëm të antitrupave tek kandidati për dhurim të plazmës dhe paramatrat e tjerë të gjakut. Pacienti që pranon terapinë, duhet të ketë grup të njëjte të gjakut me dhuruesin.

Arlinda Baftiu është gazetare nga Shkupi. Së bashku me familjen e saj ishte diagnostikuar me Covid-19, dhe pas shërimit  kishte shprehur vullnetin për të dhuruar plazmë konvaleshente.

“Në Klinikën e Sëmundjeve Infektive më është bërë analizë e thellë e gjakut gjithashtu edhe një testim për praninë e virusit në organizëm. Pas disa ditësh më janë dhënë rezultatet ku është vërtetuar se sasia e antitrupave që posedoj nuk mjafton për dhurim, sasia është e bollshme vetëm për mbrojtjen e organizmit tim”
, tha Arlinda duke shpjeguar se edhe për kundër vullnetit, disa persona nuk plotësojnë kushtet për të dhuruar plazmë.

Pas pothuaj se një viti nga miratimi i kësaj metode, nga Institutin për Mjekësisë të Transfuzionit pranë Qendrës Klinike Universitare në Shkup thonë se kërkesa për plazmë konvalescente është komfor rritjes së numrit të personave të diagnostikuar dhe atyre të shtruar në spital me Covid-19.

TRAJTIMI ME PLAZMË GJAKU, KUNDËRTHËNIE EDHE NË BOTË

Edhe bota është e ndarë në lidhje me trajtimin e pacientëve me Covid-19 me këtë metodë. Sipas BBC-së, Britania ka ndërprerë përkohësisht këtë formë të trajtimit. Sipas një studimi nga Shërbimi Nacional i Shëndetësisë në Britani, thuhet se ky trajtim nuk ul numrin e vdekjeve te pacientët me Covid-19, që janë shtrirë në spital. Sipas analizave të 1,873 rasteve që kanë përfunduar me fatalitet në Britani, trajtimi me plazmë nuk ka sjell ndonjë ndryshim të madh.

“Rreth 18 për qind e pacientëve që janë trajtuar me plazmë konvalescente kanë ndërruar jetë brenda 28 ditëve, që është shifra e njëjtë me pacientët që kanë marrë terapi standard për Covid-19”, thuhet në studim.

Nga ana tjetër, një studim i fundit në Indi thotë se kjo terapi u tregua efektive në zbutjen e hipoksisë (oksigjenit të ulët në gjak) tek pacientët me Covid-19, dhe se pacientët që janë trajtuar me këtë metodë kanë qëndruar më pak në spital.

Ndërsa autoritete shëndetësore në SHBA kanë dhënë leje që mjekët të vazhdojnë të përdorin plazmën si “terapi nën vëzhgim”, pasi shumë kërkime shkencore rreth kësaj terapie po vazhdojnë të realizohen në shumë vende.


Arta Sefadini, Valon Mani

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

LEXO EDHE:

Back to top button