Covid-19 nxit pjesëmarrje rekord në votimet e hershme në SHBA

Një numër i pashembullt votuesish kanë vendosur të votojnë përpara zgjedhjeve presidenciale të 3 nëntorit në Shtetet e Bashkuara. Më shumë se 14 milionë amerikanë kanë votuar tashmë, të paktën 10 herë më shumë se normalisht në këtë pikë para zgjedhjeve dhe miliona të tjerë pritet ta bëjnë këtë para ditës së zgjedhjeve. Por, kush po voton dhe si mund të ndikojë votimi i hershëm në rezultatin e zgjedhjeve presidenciale?

“Këtu thuhet largim vullnetar i papërcaktuar, që nënkupton se nuk do të kthehesha më kurrë”, thotë Rita Rad.

Kur ishte e vogël, Rita Rad ishte pjesë e operacionit “Peter Pan”, gjatë të cilit mijëra fëmijë të pashoqëruar u larguan nga Kuba komuniste në fillim të viteve 1960.

Ajo ka frikë nga një tendencë drejt socializmit në Amerikë nëse demokrati Joe Biden bëhet president.

“Ky është një flirtim me socializmin dhe me pikëpamje të së majtës. Ky është një gabim i madh për vendin tonë”, thotë ajo.

Zoti Biden është një i moderuar që nuk ka arritur t’ia ndryshojë mendjen zonjës Rad, e cila votoi herët personalisht për Presidentin Donald Trump.

Zonja Rad votoi më shumë se dy javë para ditës së zgjedhjeve.

Florida ka numrin më të madh të votuesve të hershëm se çdo shtet tjetër në vend. Dy milionë banorë të këtij shteti, ashtu si Rita Rad tashmë kanë votuar.

Madje as një goditje në tru kohëve të fundit nuk e pengoi zotin Mike Webley të votonte herët personalisht. Ai votoi për zotin Biden.

“Ai ka një ide më të mirë se çfarë nevojitet për ta kthyer këtë vend në rrugën e duhur. Dhe mendoj se politikat e tij janë më gjithëpërfshirëse,” thotë ai.

Në të gjithë vendin, votuesit po thyejnë rekordin e votimit të hershëm, si personalisht ashtu edhe me postë. Arsyeja kryesore për këtë është koronavirusi.

“Disa grupe njerëzish nuk e respektojnë distancimin fizik dhe për këtë arsye unë po votoj në mungesë këtë vit”, thotë Larry Clark, votues i pavendosur në Ohajo.

Christian Johnson nuk pajtohet me këtë. Ai po shet bluza që promovojnë zgjedhjet e 3 nëntorit, ditën kur ai do të votojë për zotin Biden.

“Të gjithë janë të frikësuar tani. Disa nga koronavirusi, të tjerët nga gjëra të tjera. Ju duhet të jetoni, nuk mund të jetoni me frikë përgjithmonë”, thotë ai.

Presidenti Trump dhe zoti Biden kanë pikëpamje të ndryshme në lidhje me mënyrën se si mbështetësit e tyre duhet të votojnë. Presidenti inkurajon mbështetësit të votojnë personalisht në ditën e zgjedhjeve, duke pohuar, pa prova, se votimi me postë është i kërcënuar nga manipulimet.

“Keni kujdes, shumë gjëra të dyshimta po ndodhin. Shikoni se çfarë po ndodh. Çdo ditë mund të lexoni për këtë”, tha Presidenti Trump.

Zoti Biden ka një mesazh tjetër.

“Ju ende mund të bëni kërkesa për fletëvotime për të votuar me postë. Bëjeni këtë sa më shpejt që të mundeni”, tha ai.

Historikisht, republikanët kanë qenë më të prirur të votonin më herët. Por, jo këtë vit. Sipas Projektit për Zgjedhjet të Universitetit të Floridës, demokratët kanë një avantazh 2 me 1 ndaj republikanëve në votimin e hershëm deri tani.

Rich Exner është ekspert për statistikat politike në faqen e internetit Cleveland.com.

“Intensiteti është më i lartë se më parë si me njerëzit që votojnë herët, ashtu edhe me ata që duan të votojnë me postë”, thotë ai.

E njëjta gjë po ndodh edhe në Virxhinia, shteti i dytë pas Floridës për nga numri i votuesve të hershëm.

“Unë duhet të punoj sot, por kjo është më e rëndësishme tani, kështu që unë do të votoj”, tha një votuese nga Virxhinia.

Nëse kjo prirje vazhdon, këtë viti do të ketë një pjesëmarrje rekord, 55 për qind më të lartë se numri total i atyre që votuan herët më 2016.

LEXO EDHE:

Back to top button