DASH: Inkurajojmë dialogun mes Shkupit dhe Sofjes

DASH: Inkurajojmë dialogun mes Shkupit dhe Sofjes

Gazetar: Luka Andreev

Uashingtoni u bën thirrje Shkupit dhe Sofjes të vazhdojnë dialogun. Kjo është përgjigja ndaj Zërit të Amerikës në pyetjen nëse ka garanci nga autoritetet bullgare se nuk do të ketë veto të re në rrugën e integrimit evropian të vendit, pasi Përfaqësuesi i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha më herët se Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara me qeverinë e re në Bullgari për të siguruar që nuk do të ketë kërkesa të reja.

“Shtetet e Bashkuara mbështesin fuqishëm integrimin e plotë të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Një Bashkim Evropian që përfshin të gjithë Ballkanin Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, do të jetë më i fortë dhe më me prosperitet. Ne inkurajojmë qeveritë e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë të vazhdojnë dialogun e tyre dypalësh për të zgjidhur mosmarrëveshjet, për të përmbushur marrëveshjet e mëparshme dhe për të mbështetur qasjen e shpejtë të Maqedonisë së Veriut,” deklaruan nga Departamenti Amerikan i Shtetit.

Më parë, zyrtarët bullgarë theksuan se nuk kanë kushte të reja përveç atyre tashmë të dakorduara. Megjithatë, një pjesë e opinionit këtë deklaratë e interpreton vetëm në drejtim të kushtit për futjen e bullgarëve në Kushtetutë, dhe jo detyrimeve të tjera të ndërmarra nga protokollet e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë midis dy vendeve. Sipas  kreut të diplomacisë, Bujar Osmani, protokollet nuk janë kusht dhe ato gjenden në pjesën e përgjithshme të kornizës negociuese, dhe jo në kapitujt negociues ku ekziston mundësia e vetos për çështjet në ndonjë fushë. Kryeministri Dimitar Kovaçevski në intervistë për MIA-n tha se, përveç ndryshimeve kushtetuese, ai nuk pret kushte të reja nga Sofja. Por opozita ka qëndrim tjetër.

“Është e qartë se Bullgaria është e gatshme nëpërmjet protokolleve dhe negociatave mbi historinë e përbashkët të ndryshojë plotësisht narrativin e historisë dhe kombësisë dhe ta kthejë atë në kusht për përparimin tonë drejt Evropës,” tha Naum Stoilkovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Zëvendëskryeministri për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq tha më parë se kishte një kanal komunikimi me autoritetet e reja bullgare dhe ai nuk pret përsëri pengesa në rrugën e integrimit evropian. Ai shtoi se Sofja ishte gjithashtu e vetëdijshme se do të ketë shumë presion nga vendet e tjera anëtare të BE-së nëse sërish përpiqet të bllokojë çështjet dypalëshe. Ndërkohë siç njoftuan nga MPJ, pas ngecjes disa muajshe në bisedime, ekipet e ekspertëve të të dy ministrive tani janë ulur në tryezë të përbashkët. Ata tashmë janë takuar në Sofje, dhe takimi i ardhshëm do të mbahet në fund të shtatorit në Shkup, dhe siç thotë Osmani, bisedimet tani po zhvillohen në një atmosferë konstruktive. /alsat.mk

 

LEXO EDHE:

Back to top button