Dashmir Elezi: Duel i zjarrtë në Shkup, Artan Iljazi: Pikët mbeten në Çair

Shkupi-Shkëndija do të jetë kryendeshja që do të luhet në kuadër të xhiros së 17-të në Superligën e Maqedonisë së Veriut. Të dy skuadrat ndajnë vendin e parë me pikë të barabarta (nga 32 pikë) dhe ky duel pritet me dëshirë të madhe për të tejkaluar njëra tjetrën.  “Kuqezinjtë” në mesjavë kishin paraqitje pozitive kur në Tetovë mundën 2:0 Rabotniçkin dhe drejt Çairit shkojnë me vendosmëri për fitore dhe të njejtën nga tabori kuqezi e paralajmëron sulmuesi, Dashmir Elezi.

 

“E presim me padurim, duke marrë parasysh se në mesjavë kishim një ndeshje kundër Rabotniçkit këtu në Tetovë, të cilën e fituam dhe pikët ngelen te ne. Ndeshja me Shkupin do të jetë një duel i zjarrtë edhe nga titozeria e tyre dhe e veçant edhe për ne si klub dhe për tifozë tanë. Në këtë përballje ne shkojmë për tre pikët. Të dyja skuadrat luftojnë për kreun dhe le të fitojë më i miri”, ka thënë Dashmir Elezi.

 

 

Nga tabori i bardhebluve ka folur kapiteni Artan Iljazi.

 

“E kemi parasysh se ishte një sezon mjaft i gjatë për ne, duke marrë parasysh edhe ndeshjet evropiane, pastaj jemi ende në garën e Kupës, si dhe në kampionat kemi luajtur shpesh edhe në mesjavë dhe kjo ka bërë që të harxhojmë mjaft energji. Dua të them se në ekip mbretëron atmosferë pozitive dhe të gjithë po japim maksimumin në secilën ndeshje. Të dielën në Çair e presim Shkëndijën me të cilët ndajmë pozitën e parë në renditje, por jemi përgatitur maksimalisht edhe për këtë përballje. Padyshim se ne do të kemi edhe lojtarin e 12-të, “Shvercerat” dhe uroj që tre pikët të mbeten në Çair dhe të bëjmë përsëri diferencën në tabelë”, ka thënë Iljazi.

 

Super derbi Shkupi – Shkëndija do të zhvillohet sot në stadiumin e Çairit, duke nisur nga ora 13:00.

LEXO EDHE:

Back to top button