Debat i ashpër në kuvendin e Kosovës për situatën në veri, Kurti: Tensionet në veri të organizuara nga Beogradi
Debat i ashpër në kuvendin e Kosovës për situatën në veri, Kurti: Tensionet në veri të organizuara nga Beogradi

Gazetare: Semra Musai
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti deklaroi se protestat në veri të vendit janë organizuar me direktivë të Beogradit zyrtar dhe të njëjtat nuk pasqyrojnë vullnetin e popullit serb në Kosovë. Gjatë debatit në kuvendin e Kosovës, Kurti tha se institucionet kanë vepruar në përputhje me ligjin dhe shtoi se beson thellësisht në miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Qeveria ime beson thellësisht në miqësinë e përhershme me shtetet e Bashkuara të Amerikës, Shtetet e Bashkimit Evropian e më gjerë, ne jemi thelbësisht transatlantik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian bashkë me njëra tjetrën dhe bashkë me neve, por qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të jetë e njëjtë, Serbia është vend autokratik, Serbia nuk është vend demokratik”, u shpreh Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.
Kurti përmendi emrat e atyre që sipas tij janë organizatorët e trazirave në veri të vendit. Kurti tha se rolin kryesor në organizimin e protestuesve në teren janë duke e kryer anëtarët e formacionit ilegal të së ashtuquajturës mbrojtje civile dhe ish pjesëtarë të Policisë së Kosovës.
“Ky territor kurrë nuk ka qenë i tyre, ky territor ka qenë i shtypur prej tyre, jo i tyre, andaj është tejet e rëndësishme që këtë t’ua bëjmë të qartë të gjithëve, duam ta ndihmojmë demokratizmin dhe evropianizimin e Serbisë por nuk paguajmë çmim si shtet e si territor për këtë”, tha Albin Kurti, kryeministër i Kosovës.
Opozita nga ana tjetër drejtoi kritika të ashpra ndaj Kurtit lidhur me situatën në veri të vendit.
“Për herë të parë na ke sjellë në një situatë të na dënojë publikisht sekretari amerikan i Shtetit, Blinken. Jo vetëm ai, por ai është më e rëndësishmi sepse raporti ynë me SHBA-në është i shenjtë. Nuk të lejojmë ta rrezikosh atë, sepse është i shenjtë. Sovranitetin nuk mund ta mbash as në zyrën tënde pa e pasur mbështetjen e SHBA-së”, deklaroi Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së.
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kërkoi shkarkimin e qeverisë duke i ftuar deputetët të nisin mocion mosbesimi.
“Mosbesim deri në pabesi nga ana e kryetarit të Qeverisë së Kosovës ndaj aleatëve të sigurisë që janë ende garanci e sigurisë tonë. Kush përfiton nga kjo, përveç [presidentit të Rusisë, Vladimir] Putinit dhe Rusisë? Për këtë ju kërkoj të shkojmë në mocion dhe ta ndërpremë mosbesimin deri në pabesi dhe ta shkarkojmë Qeverinë Kurti”, u shpreh Ramush Haradinaj, kryetar i AAK-së.
Ndërkaq, anëtari i Komisionit për Punë të Jashtme të Senatit Amerikan, Chris Murphy, tha se Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen “në mënyrë agresive” në Ballkan dhe fajësoi autoritetet e Kosovës për tensionet aktuale në veri të vendit. I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, dhe i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, pritet të vizitojnë Kosovën dhe Serbinë javën e ardhshme. Vizita e tyre, ka dy qëllime kryesore: uljen e tensioneve në veri të Kosovës dhe vazhdimin e punës për zbatimin e Marrëveshjes që çon drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi. /Alsat.mk