Debat për ligjin e gjendjes së jashtëzakonshme, ekspertët: Të analizohen të gjithë elementët

Vitin e kaluar, gjatë epidemisë nga virusi korona, për herë të parë u shpall gjendje e jashtëzakonshme në të gjithë vendin. Për shkak të Kuvendit të shpërbërë dhe Qeverisë teknike, shpallja ishte në duart e Presidentit Stevo Pendarovski. Ai beson se pikërisht kriza nga korona ka treguar se ne nuk jemi të gatshëm për rrethana të tilla. Prandaj, ai nxit debat mbi miratimin e një Ligji të posaçëm për gjendje të jashtëzakonshme, i cili do të rregullojë të gjitha boshllëqet.

“Ligji i ardhshëm duhet të jetë produkt i dialogut midis ekspertëve, por edhe i publikut të gjerë, dhe të miratohet në bazë të një konsensusi politik sa më të gjerë”, deklaroi Stevo Pendrovski, President i RMV-së.

Duke folur për konfuzionin ligjor në këtë fushë, ish-Ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska, kritikoi Gjykatën Kushtetuese në lidhje me mendimin mbi kohëzgjatjen e vlefshmërisë së dekreteve të Qeverisë, me fuqi ligjore.

“Për disa vendime Gjykata Kushtetuese thoshte se ato janë të vlefshme derisa zgjatë gjendja e jashtëzakonshme, për të tjera thoshte se ato mund të vlejnë edhe më vonë, dhe nuk i shfuqizonte dhe anulonte aktet që përmbanin dispozita, dhe masa që ishin të vlefshme edhe më vonë”, tha Renata Deskoska – ish ministre e Drejtësisë.

Profesori Svetomir Shkariq beson se në luftën kundër virusit përdoren të gjitha mjetet në dispozicion, sikur të ishte gjendje lufte, kështu që e hapi dilemën nëse gjendja e jashtëzakonshme duhet të jetë në të njëjtën kohë edhe gjendje lufte?
“Autorët e ligjit të ardhshëm të gjendjes së jashtëzakonshme do të duhet të kenë parasysh për këtë, me qëllim që mendimi të jetë aq i disiplinuar dhe racional në shkrimin e tekstit, që të munden dispozitat ligjore të jenë efektive”, deklaroi Svetomir Shkariq- Profesor Universiteti.

Profesoresha e universitetit dhe deputetja, Gordana Siljanovska-Davkova, vuri në dukje elementet që duhet të specifikohen në zgjidhjen e ardhshme ligjore.
“Sot në disa kushtetuta, si dhe në Komisionin e Venecias, dhe në disa ligje thuhet se gjatë një gjendje të jashtëzakonshme nuk duhet të ketë zgjedhje, rekomandohet të mos ketë regjistrime, rekomandohet të mos mbahen referendume, sepse për të gjitha këto gjendje kërkohet një situatë e qetë politike”, theksoi Gordana Siljanovska-Dafkova – Deputete dhe profesoreshë universitare.

Ministri i Drejtësisë, Bojan Mariçiq, tha se Ministria do të përgatisë një projekt-ligj, për të cilin do të ketë debat të gjerë deri në formimin e versionit përfundimtar. Konferenca e sotme u iniciua nga Qendra Presidenciale për Edukim Politik me titull “Gjendja e jashtëzakonshme: Mësimet e nxjerra dhe Sfidat e së Ardhmes”.

Alsat

LEXO EDHE:

Back to top button