Debati për ndryshimet kushtetuese, së shpejti

Debati për ndryshimet kushtetuese, së shpejti

Gazetare: Fatlume Dervishi

Procedura për përpilimin e draft amendamenteve kushtetuese duhet të fillojë së shpejti me debat të gjerë publik. Kryeministri Dimitar Kovaçevski tha se grupet e punës do të përbëhen nga përfaqësues të më shumë sferave.

“Ndryshimet kushtetuese duhet të fillojnë në nivel ekspertësh sepse fillimisht duhet të shkruhet ndryshimet kushtetuese që të munden qytetarët dhe gjithë të tjerët të shohin se si duken ato ndryshime kushtetuese. Këtë do ta bëjnë ekspertë nga Ministria e Drejtësisë, profesorë universitar dhe sigurisht, përfaqësues të partive politike. Normalisht se do të kyçen të gjitha partitë politike sepse procesi i ndryshimeve kushtetuese parashikon përfshirjen e të gjithëve në Kuvend. Për momentin nuk ka takim liderësh dhe nuk do të jetë në një kohë të afërt”, u shpreh Dimitar Kovaçevski, kryeministër.

VMRO-DPMNE-ja refuzon të jetë pjesë e këtij procesi duke thënë se tashmë i kanë bërë publike çështjet problematike. Kreu i kësaj partie, Mickoski, thotë se zgjidhje do të ofronin vetëm zgjedhjet.

“Unë u ula me Kovaçevskin dhe i tregova se çfarë më pengon. Ne tashmë jemi ulur dhe kemi treguar çfarë na pengon dhe nuk shoh arsye pse ta përsërisim atë gjë. Nuk ka ndryshuar asgjë, janë të njëjtat rrethana. Ne nuk kemi dalë para popullit të themi se do të ndryshojmë Kushtetutën por kemi dalë të premtojmë të ardhme, të sigurojmë standard më të mirë, të sigurojmë rroga më të larta, shëndetësi më cilësore, arsim më të mirë. Ata e bëjnë të kundërtën e kësaj dhe zbatojnë atë që nuk e kanë premtuar, që janë ndryshimet kushtetuese”, tha Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Debati publik për ndryshimet kushtetuese duhet të fillojë tani që në maj të hynë në procedurë parlamentare. Këto janë afatet optimale që ndryshimet të mund të bëhen deri në fund të vitit, atëherë kur të përfundojë skriningu dhe do të duhet zyrtarisht të fillojë hapja e kapitujve të negociatave me BE-në.

Sondazhi i fundit i Institutit për Demokraci “Societas Civilis” dhe Fondacionit “Konrad Adenauer” tregoi se një shumicë e madhe në Maqedoni është kundër ndryshimeve kushtetuese. Sipas hulumtimit, ky kusht nuk është i pranueshëm për 80 për qind të maqedonasve, përkatësisht për 65 për qind të të gjithë qytetarëve. Gjithashtu, euroskepticizmi vazhdon të rritet. Në vitin 2022, 64 për qind e popullsisë do të votonin pozitivisht për anëtarësimin në BE, që është katër për qind më pak se në vitin 2021. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button