“Defender 21”, të martën në Shqipëri arrijnë autoritetet e larta ushtarake të SHBA-së dhe NATO-s

Ministri i Mbrojtjes në Shqipëri, Niko Peleshi ka publikuar pamje nga porti i Durrësit, ku vazhdon zbarkimi i trupave dhe mjeteve amerikane. Sipas tij, gjithçka është gati për të çelur stërvitjen e përbashkët më të madhe të zhvilluar në Shqipëri nga ushtria amerikane dhe forcat tona të armatosura në kuadër të NATO-s, ‘Defender Europe 21’.
Të martën pritet të zhvillohet eventi i parë, Dita e Vizitorëve të Shquar, ku të pranishëm do të jenë autoritetet më të larta civile dhe ushtarake në vend, ato amerikane dhe NATO-s. Shqipëria është një ndër 16 shtetet ku do të zhvillohet stërvitja ushtarake shumëkombëshe “Defender 21”. Trupat e mbërritura nga 26 shtete, nën drejtimin e amerikanëve do të kenë operacione në portin e Durrësit, bazën ajrore të Kuçovës, Berat, Zall-herr, Bizë, Pashaliman dhe bazën ajrore të Farkës.
Shqipëria u zgjodh ndër shtete e tjera për shkak të vendndodhjes së saj strategjike dhe faktit se ka qenë një partner i vlefshëm për SHBA prej vitesh. Kjo stërvitje do të kryhet në pjesën e Ballkanit dhe Detit të Zi.
Deri në 10 qershor në Shqipëri do të zhvillohen stërvitje ku përfshihen dhe qitjet e drejtpërdrejta, ato mbrojtëse ajrore, raketore apo dhe detare, por një pjesë e trupave do të qëndroje dhe më pas.