Dejvisi refuzon Bajern Munihun, kërkon vetëm klubin madrilen

Alfonso Dejvis dhe Bajern Munihu po shkojnë drejt ndarjes konsensuale. Zërat mbi një lamtumirë të mundshme qarkullojnë prej disa muajsh, tani janë përforcuar akoma më shumë. Sepse klubi do të donte ta mbante kanadezin dhe madje i ka ofruar edhe një rinovim të kontratës me shifra më të larta.
Megjithatë, përgjigja e futbollistit duket se ka qenë e qartë. Sipas Marca-s, mbrojtësi i krahut ka thënë “Jo, faleminderit” për zgjatjen e kontratës me bavarezët. Objektivi unik i tij duket se është pikërisht Real Madrid, ku ëndërron të transferohet në fund të sezonit aktual.
Nga ana tjetër, “Los Blancos” kanë bërë të ditur disa herë interesimin e tyre për Dejvisin dhe lojtari ka shprehur gatishmërinë e tij për të shkuar në Madrid. Në këtë pikë Bajern-i do të provojë ta shesë këtë verë, kur do të mungojë akoma edhe një vit nga skadenca e kontratës. Synimi është që të mos humbet lojtari me kosto zero. Vlera në merkato e Dejvisit është 70 milionë euro.