Deklarata e Ahmetit për Grubin – Mickoski: Shpresoj se kjo arrinë te Prokuroria, Fetai: deklaratë skandaloze
Deklarata e Ahmetit për Grubin – Mickoski: Shpresoj se kjo arrinë te Prokuroria, Fetai: deklaratë skandaloze

Gazetar: Suad Bajrami
Prokuroria thekson se Ali Ahmeti mund të ftohet në bisedë për të treguar lokacionin e ish zëvendëskryeministrit Artan Grubi, pasi ai dje tha se ndodhet në hapësirat shqiptare.
“Prokuroria Publike ka lëshuar urdhra për shpalljen e fletëarrestit nacional dhe ndërkombëtar për personin e dyshuar. Organet e brendshme dhe ndërkombëtare të obliguara për zbatimin e atyre urdhrave i kanë të gjitha autorizimet që t’i ndërmarrin të gjitha veprimet e domosdoshme për gjurmimin e personit, përfshirë edhe të thërrasin dhe të kryejnë biseda me persona të tjerë të cilët munden të kenë njohuri për lokacionin ku ndodhet i dyshuari”, thonë nga Prokuroria Publike.
Kryeministri Hristijan Mickoski shpreson që Prokuroria i dëgjon këto informata për të ftuar Ahmetin, ndërkaq porosit që nuk ka të bëjë me ndjekje politike, aq më shumë kur Grubi është i përfshirë në Listën e Zezë nga SHBA-ja.
“Unë shpresoj se kjo arrin te Prokuroria dhe ka procedurë juridike në të cilën, nëse kemi person që e di se ku gjendet një i arratisur nga ligji, do ta ftojnë atë person që ai të japë përgjigje në pyetjen se ku ndodhet i arratisuri i drejtësisë”, tha Hristijan Mickoski, kryeministër.
“Personi në fjalë, i arratisur nga drejtësia, gjithashtu gjendet në Listën e Sanksioneve të SHBA-së dhe atje qartë thonë se ky person, bashkë me një person tjetër lidhen me skandale të mëdha kriminale dhe të korrupsionit. Ma merr mendja, nuk do ta akuzojnë edhe Stejt Departmentin se kryen ndjekje politike kundër këtij personi”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.
Për zëvendëskryeministrin Arben Fetai, deklarata e Ahmetit në lidhje me vendndodhjen e Grubit është shqetësuese dhe skandaloze.
“Kushdo që ka dijeni për vendndodhjen e një personi të tillë që kërkohet nga institucionet e drejtësisë me fletëarrest ndërkombëtar dhe nuk i ndan informatat me institucionet e rendit dhe ligjit ka përgjegjësi penale. Prokuroria jonë duhet të thërrasë në intervistë zotin Ali Ahmeti për t’i kërkuar informata që ai ka tanimë në lidhje me vendndodhjen e zotit Grubi. Duke ofruar pazar politik në lidhje me dorëzimin e zotit Artan Grubi, Ali Ahmeti po tejkalon disa linja të shteti të së drejtës realisht dhe unë e kam thënë dhe e them përsëri që nuk guxon të ketë pazare me njerëz të kriminalizuar të cilët kërkohen për vepra penale ku janë abuzuar, keqpërdorur miliona euro të resurseve financiare të shtetit dhe qytetarëve. Pazare me kriminelët nuk ka dhe nuk mund të ketë”, tha Arben Fetai, zëvendëskryeministër.
Grubi, më shumë se dy javë nuk është i kapshëm për organet e drejtësisë, derisa kërkohet me fletëarrest ndërkombëtar. Grubi në facebook kishte shkruar se ndodhet për vizitë private në Kosovës dhe është i pastër si loti. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti dje tha se Grubi ndodhet në hapësirat shqiptare dhe se është i gatshëm të kthehet, por me kusht që të mos ketë drejtësi hakmarrëse dhe selektive./ Alsat.mk