Deklarata e Mickoskit se mund ta quaj vendin si të dojë, shkakton reagime në Greqi

Deklarata e Mickoskit se mund ta quaj vendin si të dojë, shkakton reagime në Greqi

Gazetar: Lluka Andreev

Mbërrijnë reagimet nga Athina Zyrtare pas deklaratës së djeshme të kryetarit të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, se ka të drejtë ta quajë vendin si të dojë dhe se preferon ta përdorë vetëm emrin “Maqedoni”. Ai njëkohësisht shprehu përkrahje edhe për presidenten e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova, e cila në deklaratën zyrtare nuk e ka përdorur emrin e ri kushtetues. Reagoi kryeministri grek Kiriakos Micotakis. Ai thotë se rruga për në Evropë do të mbetet e mbyllur nëse qeveria e re në vend nuk e respekton plotësisht Marrëveshjen e Prespës.

“Nëse dikush beson se mund të mos e respektojë Marrëveshjen nga ana e tyre, duhet të dinë dy gjëra: së pari, rruga e tyre drejt Evropës do të mbetet e mbyllur dhe e dyta, memorandumet që duhet t’i ratifikojmë nuk do të ratifikohen, derisa të ketë përputhje absolute nga Qeveria e re me atë që e parashikon Marrëveshja”, deklaroi Kyriakos Mitsotakis – Kryeministër i Greqisë.

Më herët, shefi i diplomacisë greke, Jorgos Gerapetritis, theksoi se nuk ka vend për lëshime për Marrëveshjen e Prespës. Gerapetritis theksoi se një nga kushtet në procesin e integrimit evropian për vendin është pikërisht Marrëveshja e Prespës, e cila, sipas tij, tregon me saktësi zbatimin e emrit kushtetues të shtetit.

“Greqia do të monitorojë nga afër situatën në Maqedoninë e Veriut. Kërkojmë realisht nga Qeveria dhe Presidenti i Maqedonisë së Veriut që ta zbatojnë me besnikëri Marrëveshjen e Prespës. Dëshirojmë vazhdimin e bisedimeve, por asnjë lëshim nuk mund të tolerohet”, tha Jorgos Gerapetritis – Ministër i Punëve të Jashtme të Greqisë.

Mickoski dje bëri thirrje për marrëdhënie të mira fqinjësore dhe miqësore me Greqinë dhe apeloi që të mos ketë, siç thotë, kërcënime, pengesa dhe kthim në të kaluarën, por që të dyja palët të shikojnë nga e ardhmja. Ai shtoi se nuk pret që marrëdhëniet mes dy vendeve të bazohen në muskuj politik dhe theksoi se edhe VMRO-DPMNE edhe partia e Micotakis kanë qëndrimin e tyre në lidhje me Marrëveshjen e Prespës, sepse marrëveshja nuk i ka pëlqyer as njërit dhe as tjetrit. Mickoski theksoi se nëse Greqia beson se vendi e ka shkelur Marrëveshjen e Prespës, ekziston Gjykatë Ndërkombëtare e Drejtësisë. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button