Dënime me kusht për sulmin në MNAV, përfshi dhe zyrtarin e BDI-së

Dënime me kusht për sulmin në MNAV, përfshi dhe zyrtarin e BDI-së

Gazetare: Ajnur Bafqari

Gjykata Penale i ka dënuar me kusht 7 pjesëmarrësit në sulmin e 4 janarit në M-Nav. Ata ngarkohen me veprën “pengim i zyrtarit në kryerjen e detyrës zyrtare” dhe jo “rrezikim i komunikacionit ajror” siç ishte kualifikuar fillimisht kjo lëndë. Rikualifikimi i lëndës, siç njoftoi prokuroria, ndodhi si rezultat i provave të siguruara, që sugjeronin se incidenti nuk ka rrezikuar siguria e trafikut ajror, gjatë kohës që ka ndodhur ngjarja.

“Gjatë procedurës hetimore jaë siguruar deklarata verbale nga të punësuarit në M-NAV si dëshmitarë të ngjarjes dhe nga personi zyrtar i dëmtuar, si dhe raporte të sigurisë së trafikut ajror në momentin kritik prej Agjencisë së Aviacionit ajror dhe prej agjencisë ndërkombëtare Eurokontroll. Për këto arsye, prokurori publik kompetent kërkoi pëlqimin e prokurorisë së lartë publike Shkup për ndryshim të kualifikimit juridik sipas të cilit është zhvilluar procedura e deritanishme”, njoftojnë nga Prokuroria.

Për gjashtë të akuzuarit është shqiptuar dënim me kusht, 6 muaj burg që nuk do të zbatohet nëse në afat prej një viti e gjashtë muaj pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit nuk kryejnë ndonjë vepër të re penale. Ndërsa për njërin prej pjesëmarrësve që paraprakisht ishte i akuzuar për një vepër kundër sigurisë së përgjithshme, është shqiptuar dënim me kusht me mbikëqyrje mbrojtëse, pra dënim me dy vjet burg, i cili nuk do të zbatohet nëse nuk kryen një vepër të re brenda pesë viteve pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit. Për të akuzuarin e 8, të përfshirë në hetimin paraprak procedura është ndërprerë, pasi ai nuk ka marrë pjesë në veprime për pengimin e personit zyrtarë në kryerjen e punëve.

“Të ballafaquar me provat e kësaj vepre penale, të akuzuarit kanë shprehur gatishmërinë për të lidhur propozim-marrëveshje me prokurorinë dhe për të pranuar aktgjykimin e fajësisë. Me rastin e peshimit të sanksioneve të përcaktuara, janë vlerësuar individualisht të gjitha rrethanat dhe veprimet e secilit prej të dyshuarve të rastit, mungesa e pasojave të qëndrueshme, si dhe praktika gjyqësore për dënimet për krime të tilla”, thonë nga Prokuroria.

Bekim Neziri, zyrtar i BDI-së dhe gjashtë persona të tjerë më 4 janar u futën dhunshëm dhe jashtë protokolleve të sigurisë në objektin e M-NAV duke shkaktuar zënkë verbale dhe duke sulmuar fizikisht disa të punësuar. Incidentit i kanë paraparë mosmarrëveshjet mes drejtuesve të këtij institucioni dhe sindikatës mbi konkursin për punësimin e kontrollorëve. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button