Dënohet sulmi ndaj centralit bërthamor në Ukrainë, NATO në mbledhje urgjente

Presidenti i SHBA Xho Bajden i kërkoi Moskës të ndalojë aktivitetet e saj ushtarake rreth zones së centralit bërthamor në Ukrainë, ndërsa kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se “sulmet e tmerrshme” nga Rusia “duhet të pushojnë menjëherë”, shkruan Alsat.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson tha se sulmi “i pamatur” mund të “kërcënojë drejtpërdrejt sigurinë e të gjithë Evropës”. Të tre liderët folën me presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelensky në telefon pas sulmit që Rusia bëri në orët e para të së premtes në centralin bërthamor Zaporizhzhia në qytetin Enerhodar. Ministrat e Punëve të Jashtme u mblodhën në mesditë në selinë e NATO-s në Bruksel për një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit Veriatlantik. NATO nuk do të përfshihet në konfliktin në Ukrainë me trupat e saj por vendet aleate ndihmojnë Ukrainën me financa dhe me armë, tha sekretari i përgjithshëm Jens Stoltenberg. Megjithatë, Aleanca është e gatshme për konflikt nëse preket territori saj.

“Ditët që do të vijnë ka të ngjarë të jenë më të këqija, me më shumë vdekje, më shumë vuajtje dhe më shumë shkatërrim. Kjo tregon pamaturinë e kësaj lufte dhe rëndësinë për t’i dhënë fund asaj si dhe rëndësinë që Rusia t’i tërheqë trupat e saj dhe të përkushtohet në përpjekje diplomatike”, deklaroi Jens Stoltenberg, sekretar i përgjithshëm i NATO-s.

“Ne nuk kërkojmë konflikt. Por nëse konflikti vjen tek ne, ne jemi të gatshëm për të dhe do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të NATO-s”, theksoi Antoni Blinken, Sekretar amerikan i Shtetit.

BE-ja është e gatshme edhe për sanksione të reja mbi Rusinë.

“Mendoj se është e rëndësishme të zbatojmë Mekanizmin e Moskës dhe të dërgojmë një mision, të shohim se cilat janë aktet që mund të konsiderohen krime lufte dhe sërish, mendoj se është momenti në të cilin duhet të jemi të bashkuar. Ky është një moment kritik në historinë e Evropës”, u shpreh Xhozef Borell, shef i diplomacisë së Bashkimit Evropian.

Sulmi i Rusisë mbi centralin bërthamor ishte arsyeja që Gjykata Ndërkombëtare Penale njoftoi se do të fillojë hetimin për krime të mundshme lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Ukrainë. Iniciativa e Kanadasë ishte mbështetur nga 39 vende anëtare.

“Ne mendojmë se Rusia duhet të gjykohet për krime kundër njerëzit dhe krime lufte”, tha Melani Gjoli, ministre e punëve të Jashtme e Kanadasë.

Edhe Kina e cila ka abstenuar në votimet në Kombet e Bashkuara për sanksionimin e Rusisë dhe kërkesën për tërheqjen e trupave ruse thotë se është “seriozisht e shqetësuar për sigurinë dhe sigurinë” e objekteve bërthamore në Ukrainë pas një zjarri në centralin më të madh bërthamor të Evropës, i ndezur nga zjarri i artilerisë ruse. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button