Denoncimet nga Arsovska – Prokuroria përvjelë mëngët, nis hetim për ndërtimin e një objekti paleje në Çair
Denoncimet nga Arsovska – Prokuroria përvjelë mëngët, nis hetim për ndërtimin e një objekti paleje në Çair

Gazetar: Zekirija Haxhiu
Prokuroria Publike ka filluar procedurë hetimore kundër një personi fizik për vepër penale “ndërtim pa leje” nga neni 244-a nga Kodi Penal, shkruan Alsat.
Sipas Prokurorisë, objekti ka filluar të ndërtohet në vitin 2024, pa leje dhe në parcelë shtetërore në rrugën “Kemal Sejfulla” në Çair.
I dyshuari, është investitor i një ndërtese me hapësira afariste, me podrum, përdhese, gjashtë kate dhe nënkulm, të gjitha me qëllim për t’i shitur. Kundër të dyshuarit, Prokuroria nga Gjykata ka kërkuar masa të kujdesit, të paraqitet vazhdimisht në gjykatë, konfiskimi i pasaportës dhe ndalesë të ndërtimeve në objekt.
“Me urdhër të prokurorit publik, ekspert gjyqësor nga fusha e ndërtimtarisë ka konstatuar fazë momentale të ndërtimit, respektivisht kryerje të punëve me armaturë dhe beton, konstruksion skeleti tërësisht i betonuar, shtylla, trarëve dhe betonit nga podrumi deri në katin e gjashtë, si dhe ndërtimin e mureve të jashtme dhe të brendshme me tulla”, thonë nga Prokuroria Publike.
Hetimi nga ana e prokurorisë erdhi pas denoncimit të kryetares së Shkupit, Danella Arsovska. Për dhjetë ditë me radhë, ajo vazhdimisht pa asnjë paralajmërim, dilte në teren, kryesisht në Çair, duke kërkuar llogari nga punëtorët se a kanë leje për aktivitetet ndërtimore që kryenin. Arsovska në polici kishte paraqitur edhe kërcënim me jetë nga një kalimtar rasti. Megjithatë, të gjitha këto aktivitete në fund të mandatit, ministri i brendshëm i quan thjeshtë cirk.
“Kjo që po ndodh para opinionit të Maqedonisë është thjeshtë për cirk dhe paradë para zgjedhjeve lokale. Po të ishin në vitin e parë do të ishte për t’u përshëndetur dhe do të ishte e sinqertë. Populli e vëren këtë, populli shumë vite është gënjyer dhe vëren kur diçka është e sinqertë dhe kur diçka është për cirk”, u shpreh Pançe Toshkovski – Ministër i Brendshëm.
Për aksionet e Arsovskës, kryetari i komunës së Çairit, Visar Ganiu, së fundmi në Alsat tha se prapa saj qëndrojnë siç i quajti “burrat e BDI-së”, të cilët gjithashtu pengojnë kryerjen e aktiviteteve për pastrimin e komunës nga mbeturinat.
Sipas Ganiut, BDI në bashkëpunim me Levicën, qëllimisht lejojnë grumbullimin e mbeturinave në komunën e Çairit./ Alsat.mk