Deponi për “mirëseardhje” në Strugë, qytetarët: Askush nuk po ndërmerr asgjë

Grumbuj mbeturinash në hyrje të Strugës. Deponi të vogla me mbeturina janë imazhi i parë i këtij qyteti turistik. Qytetarët thonë se vazhdimisht alarmojnë dhe kërkojnë nga organet t’i pastrojnë këto deponi, por thonë se për momentin askush nuk merr masa. Qytetarët i hedhin mbeturinat kush ku të mundet.

“Kjo është e padurueshme. Çdo rrugë ka mbeturinë. Nuk ka pjesë që nuk rrezikohet. Nuk lënë të hedhim mbetje ndërtimore në deponi. Mua më kthyen me tërë rimorkion me mbetje ndërtimore. E ofrova me pagesë, po më kthyen përsëri”.

“S’ka si Struga, por gjithçka është e kotë, kur imazhi fillestar i qytetit kur të vijnë të huajt, përballen me pamje të shëmtuar. Habiten kur shohin diçka të tillë”. Ata në fillim e fotografojnë këtë… “.

Deponi të këtilla të vogla ka në disa lokacione të tjera në të gjithë Strugën me rrethinë. Përgjatë rrugës që të çon në vendkalimin kufitar Qafë Thanë, në të dy anët e rrugës për në fshatin Kalishtë në brigjet e liqenit të Ohrit dhe shumë vende të tjera.

“Kjo deponi këtu, prapa meje, ku ka mbeturina të ndryshme, nga mbeturinat ndërtimore e deri te pajisjet dhe orenditë shtëpiake, është vetëm një nga deponitë që mund të shihet në rrugën e vjetër nga Ohri për në Strugë”.

Sipas disa hulumtimeve të fundit në terren, në territorin e komunës së Strugës ka të paktën 90 deponi jolegale për mbeturina komunale dhe 70 për mbeturina ndërtimore. Drejtori i ndërmarrjes komunale në Strugë, Ikmet Islami, për Alsat shprehet se pastrimi i këtyre deponive nuk është në kompetencën e tyre sepse janë deponi në pronë private, e jo në hapësirë publike.

Miki Trajkovski

LEXO EDHE:

Back to top button