Deputetët e shumicës mbështesin vendimin e Gashit që të mos nis procedurë shkarkimi për kryetaren e Antikorrupsionit
Deputetët e shumicës mbështesin vendimin e Gashit që të mos nis procedurë shkarkimi për kryetaren e Antikorrupsionit

Gazetar: Zekirija Haxhiu
Deputetët e shumicës parlamentare janë në një vijë me kreun e Kuvendit Afrim Gashi, i cili vendosi që për momentin të mos ngritë procedurë shkarkimi për kryetaren e Antikorrupsionit, Tatjana Dimitrovskën, shkruan Alsat.
Nga VMRO-DPMNE dhe VLEN thonë se duhet t’i jepet kohë Dimitrovskës që vet të jep dorëheqje. Nga Fronti Evropian nuk flasin.
“Le ta lëmë në vlerat morale të kryetares që vet të jep dorëheqje dhe ta mundësojë drejtësinë si duhet”.
Por çfarë nëse nuk jep dorëheqje, a konsideroni që Gashi menjëherë duhet të nisë procedurë shkarkimi apo duhet të pritet? Do të koordinohemi për këtë. Problemi më i vogël është që Gashi të thërret seancë sa i përket përgjegjësisë së kryetares”, tha Brane Petrushevski – VMRO-DPMNE.
“Normalisht duhet të pritet, nuk mund ta shpallim fajtor dikë për të cilën ende nuk është gjykuar.
Mirëpo ka dëshmi nga prokuroria që është e përfshirë…Nëse ka dëshmi atëherë çdokush duhet të përgjigjet para drejtësisë”, u shpreh Saranda Imeri Stafai – VLEN.
“Sot jemi të fokusuar te interpelanca e ministrit Toshkovski por sigurisht do të mbetemi në kontakt dhe do të japim qëndrimet tona. Megjithatë a duhet të shkarkohet apo duhet të japë dorëheqje, si e vlerësoni situatën sepse ka fakte që… Besoj se do të ju informojmë në vijim…Për momentin nuk keni qëndrim? Ju faleminderit!”, theksoi Arbana Pasholli – Fronti Evropian.
Kritik ishin vetëm “E Majta”. Derisa zgjidhen kuadro partiake, gjithmonë do të përfundojnë nën lojërat e partive politike, thotë deputeti Amar Mecinoviq.
“Por kjo tregon se kuadrot partiake që i zgjedhë ky kuvend, në fund të ditës gjithmonë gjenden para lojërave korruptive të atyre partive që i emërojnë, kështu që mesazhi ynë është se asgjë nuk do të ndryshojë derisa i zgjedhim partitë e njëjta politike e të cilat na sjellin të njëjtat rezultate e ajo është partizimi i shtetit në mënyrën siç e partizojnë”, u shpreh Amar Mecinoviq – E Majta.
Ndërkohë heshtje ka edhe nga përbërja e Antikorrupsionit. Deri tani, anëtarët e këtij institucioni nuk kanë kërkuar dorëheqjen nga Dimitrovska edhe pse institucioni ka përjetuar goditje serioze dhe rrezikohet integriteti i tij.
Një ditë më parë nga Antikorrupsioni njoftuan se do të respektojnë principet e integritetit, transparencës dhe qeverisjes të së drejtës, si dhe do të vazhdojnë të punojnë në mënyrë të pavarur dhe efikase.
Nga atje theksojnë se procedurat për vërtetimin e përgjegjësisë individuale nuk e rrënojnë përkushtimin institucional dhe kolektiv. Përbërja aktuale e Antikorrupsionit, bashkë me kryetaren Dimitrovska, u votua më 22 dhjetor të vitit 2023, edhe atë me mbështetje edhe të LSDM-së edhe të VMRO-DPMNE-së./ Alsat.mk