Deputetet shqiptare dënojnë sulmin rus ndaj Ukrainës

Deputetet shqiptare dënojnë sulmin rus ndaj Ukrainës

Sonte në “Rruga Drejt”, deputetet shqiptare të Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, kanë nisur debatin duke dënuar ashpër sulmin rus ndaj Ukrainës, i cili ndodhi sot në orët e hershme të mëngjesit, shkruan Alsat.

Fisnike Shaqiri-Bekteshi, deputete nga radhët e BDI-së, Ilire Dauti, deputete nga Aleanca për Shqiptarët dhe Safije Sadiki-Shahini, deputete nga Alternativa, thanë se kjo çka ndodhi sot ishte vërtetë shqetësuese.

“Ne si BDI përkrahim Ukrainën dhe dënojmë thirrjet të cilat kanë të bëjnë me përkrahjet e agresionit rus. Ndërsa shteti ynë ka marrë të gjitha masat e nevojshme ta ruaj integritetin territorial”, u shpreh Shaqiri-Bekteshi nga BDI.

Ndërsa Ilire Dauti nga Aleanca për Shqiptarët tha se kjo që ndodhi sot është shqetësim për mbarë botën që e donë paqen.

“Sot u gdhimë të trishtuar nga ajo që ndodhi në Ukrainë. Është shqetësim për mbarë botën që e donë paqen, për ne si shqiptarë është shumë e vështirë sepse pamjet e tilla na kujtojnë luftën e Kosovës. Sa i përket shtetit tonë, mendoj se Republika e Maqedonisë së Veriut duhet të jetë shumë e prerë dhe shumë e qartë që të dënojë këto akte dhe të jetë shumë e prerë”, theksoi Dauti.

Ndërsa Sadiki-Shahini, tha se kjo situatë do të ndikojë edhe në vendin tonë.

“Është me të vërtetë shqetësuese kjo çka ndodhë sot në Ukrainë. Mendoj që kjo do të ndikojë sigurisht edhe në vendin tonë, ku pritet të thellohet kriza ekonomike e gjithashtu edhe çështje e sigurisë”, pohoi ajo./ Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button