“Der Spiegel”: Kujdes, në Ballkan kërcënon një konflikt i ri

Revista gjermane akuzon Bashkimin Europian se faktikisht nuk është i pranishëm në rajon, nuk bën asgjë, nuk ka plan, nuk ka as politikë.
Këto e kanë shtyrë revistën gjermane “Der Spiegel” të alarmojë opinionin gjerman me titullin: “Kujdes, në Ballkan kërcënon një konflikt i ri”. Sipas “Der Spiegel” çfarë po ndodh në Ballkan mund të ketë pasoja dramatike për Europën. Rajoni nuk është para shpërthimit të luftës, por ngjarjet janë kërcënuese: në Bosnjë lideri i serbëve Millorad Dodik synon të hedh poshtë rendin e pasluftës dhe ta shkëpus pjesën e dominuar nga serbët, shkruan “Der Spiegel”.
Revista gjermane kritikon ashpër Bashkimin Europian, duke akuzuar se faktikisht nuk është i pranishëm në Ballkan. BE, sipas “Der Spiegel”, në rajon nuk bën asgjë, nuk ka plan, nuk ka as politikë. Kjo do t’i hakmerret BE-së. “Sepse së pari politika e jashtme e BE-së është përgjithmonë është komplet jokredibile nëse as në Ballkan nuk mund të bëjë diçka – dhe atje toleron Rusinë dhe Kinën të veprojnë. Fakti që BE nuk po i ofron kurrfarë perspektive vendeve të Ballkanit, ndikon në acarimin e këtyre ditëve. Dhe së dyti: pasojat për pjesën tjetër të Europës as që mund të merren me mend nëse atje sërish do të ketë përballje të armatosura. Kjo s’mund të përjashtohet”, paralajmëron “Der Spiegel”.