Derbi Italian në Riad, Milani e Interi kërkojnë Super Kupën e Italisë

Pas 12 vite, Milani dhe Interi janë gati të garojnë për fitoren e Superkupës së Italisë, tani në Riad, kryeqyteti i Arabisë Saudite që priti një tjetër finale pak ditë më parë, atë që pa Barcelonën t’i imponohej Real Madridit duke marrë në shtëpi Superkupën e Spanjës.

Pioli ka mundësinë të fitojë trofeun e dytë pas “Scudetto”-s, ndërsa Inzagi është në kërkim të të tretit te zikaltrit, pas Superkupës së edicionit të kaluar dhe “Coppa Italia”, të fituar kundër Juventusit në “San Siro” dhe në “Olimpico” të Romës.

Të dy trajnerët folën për rëndësinë e mbizotërimit ndaj kundërshtarit, në një ndeshje me të cilën Inzagi është mësuar tashmë. Nëse do të ishte i suksesshëm, ai do të bëhej i katërti si trajner me lidhje me epërsinë e Marçello Lipit dhe Fabio Kapello, dy “monstrat” e trajningut italian.

Pioli ka pak dyshime për formacionin: Kjaer përpara Kalulus për të mbështetur Tomorin, me Kalabria dhe Hernandez që plotësojnë pjesën e pasme, para portës së Tatarushanu. Në mesfushë do të shohim sërish Tonalin, pas skualifikimit në Leçe, së bashku me Benaserin e zakonshëm, të sapo rinovuar deri në vitin 2027. Messias fiton balotazhin me Salemakersin, duke luajtur si “playmaker”, ndërsa nga krahët e sulmit Diaz dhe Leão. Referencë sulmuese, Zhiru.

Formacioni titullar i përcaktuar për Inzaghin, i cili rikuperon Lukakun për në pankinë. Në sulm e nis me Lautaro dhe Xheko. Darmian më shumë se Damfris në të djathtë, Barella dhe Çalhanoglu janë si rregullisht në mesfushë, repart që do të kompletohet nga Mikhitarian dhe Dimarko. Shkriniar, Açerbi dhe Bastoni do të rreshtohen në prapavijë, si “digë” e fundit para portierit Onana. Brozoviç dhe Handanoviç nuk janë të disponueshëm.

Sfida AC Milan-Inter, do të nis në orën 20.00.

LEXO EDHE:

Back to top button