Derivatet e naftës do të shtrenjtohen me procedurë të shkurtuar

Taksa ekologjike me të cilën derivatet e naftës do të rriten për 3.5 denarë pa TVSH, do të miratohet në Parlament me procedurë të shkurtuar, me flamurin Evropian. Qeveria ka paraqitur propozim për të futur taksën ekologjike si një Ligj, që duhet të harmonizohet me ligjin e BE-së duke përdorur flamurin Evropian. Kjo do të nënkuptojë procedurë më të shpejtë, për miratimin e këtij ligji. Debati për amendamentet mund të zgjasë maksimum tre ditë, dhe për miratimin e këtij ligji do të nevojiten të votojnë 61 deputetë. Sipas informacioneve të Alsat, debati mbi këtë propozim të Komisionit për Çështjet Evropiane pritet të caktohet deri në fund të kësaj jave.
Duke përdorur flamurin evropian, bllokadat e paralajmëruara të partive opozitare janë minimale. Megjithatë, kryeministri Zoran Zaev lë një mundësi përmes debatit në Parlament për ta bindur opozitën se kjo taksë ka rëndësi të madhe për qytetarët.
Edhe pse janë paralajmëruar bllokime, shpresoj që bazuar në debat do ta kuptojmë se sa i vlefshëm dhe i rëndësishëm është. Unë thjesht do t’ju kujtoj çdo vjeshtë se cili është debati këtu në Shkup për ndotjen e ajrit, për të mos përmendur atë që duhet të zgjidhim nga fabrikat e selektimit të mbeturinave deri te fabrikat e trajtimit të ujërave të zeza dhe një numër të madh të projekteve të tjera në të gjithë vendin – tha Zoran Zaev- Kryeministër i RMV-së.
Edhe zv/ kryeministri Fatmir Bytyqi arsyeton miratimin e taksës së re, si të mirë për qytetarët ndërsa opozita bëri thirrje për arsye.
Bëjë thirrje në mirëkuptim për taksën ekologjike, sepse kjo do të thotë investim në qytetarët tanë, jo investim në çfarëdo gjëje, që dikush e ka shpikur. Taksa ekologjike është një nga burimet e financimit të projekteve të rëndësishme për qytetarët dhe shpresoj që opozita dhe deputetët sa më shpejtë t’i miratojnë ndryshimet ligjore – u shpreh Fatmir Bytyqi- zv/ kryeministër i çështjeve ekonomike.
Partitë opozitare paralajmëruan bllokim të taksës ekologjike pasi qeveria nuk ka saktësuar ku do t’i harxhojë mjetet e grumbulluara, duke akuzuar se bëhet fjalë për tatim krize e jo investim në ekologji. Nga Ministria e Mjedisit Jetësor sqarojnë se është e mundur një pjesë e 54 milionëve, të dedikohen për subvencionimin e blerjes së automjeteve ekologjike ndërsa një pjesë për investime në mjedisin jetësor.
Andrea Çobanova