Dështon për të dyzetën herë konstituimi i Kuvendit

Dështon për të dyzetën herë konstituimi i Kuvendit

Për të dyzetën herë ka dështuar konstituimi i Kuvendit të Kosovës. Vazhdimi i kësaj seance ka dështuar në mungesë kuorumi për votimin e komisionit që mundëson votimin e fshehtë. Në sallë ishin të pranishëm 100 deputetë, ku kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari ka ftuar partitë politike për propozim të emrave për komision.

Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra i bëri thirrje Deharit për respektim të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Kryesues po të bëjmë thirrje edhe një herë respektoje kushtetutën, ktheju rendit të ditës dhe respektoje aktgjykimin”, tha Blerta Deliu-Kodra, deputete e PDK-së.

“Ju lutem vetëm për propozim, regjia të ndërpritet. Regjia ndërpritja mikrofonin”, u shpreh Avni Dehari, kryesues i seancës.

“Kryesues zbatoni vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, theksoi Armend Zemaj, deputet i LDK-së.

“Regjia le të ndërpritet. Regjia, ju lutem le të ndërpritet”, tha Avni Dehari, kryesues i seancës.

Dehari nuk lejoi të flas as deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
“Ne si Aleancës kemi ndryshuar qëndrim, na vjen keq. Dhe e kemi një emër për komision”, tha Time Kadrijaj , deputete e AAK-së.

“Vetëm propozim asgjë tjetër, Propozo”, u shpreh Avni Dehari, kryesues i seancës.
“Ne e kemi një emër për komision dhe për komision e propozojmë deputetin Albin Kurti”, nënvizoi Time Kadrijaj , deputete e AAK-së.

Dehari vazhdoi seancën duke hedhur në votim komisionin për votim të fshehtë i cili nuk mori votat e mjaftueshme.

“Ndërpritet seanca. 51 deputetë kanë votuar për, kundër nuk ka pasur, abstenim nuk ka pasur, ndërpritet seanca. Shihemi me 03.07.2025 në orën 11:00”, deklaroi Avni Dehari, kryesues i seancës.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës javën e kaluar ka marrë aktvendim sipas të cilit legjislatura e nëntë ka një muaj afat për konstituim. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button