Dështon pushteti, fiton opozita – Nuk shtyhen zgjedhjet lokale në Kosovë

Pavarësisht orvatjeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të shtyrë zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 17 tetor, një gjë e tillë nuk u pranua nga opozita në Kosovë. Opozitës nuk mundi t’i bëjë presion as presidentja Vjosa Osmani, e cila kishte marr nismën që të konsultohet me Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, të cilët përmes një rekomandimi do të kërkonin shtyrjen e zgjedhjeve për shkak të rritjes së rasteve me COVID-19 në Kosovë. Osmani ka takuar liderët e partive politike të Kosovës, ku të gjithë ishin kategorikisht kundër shtyrjes së zgjedhjeve, përveç kryetarit të Vetëvendosjes, Albin Kurtit.
Në mënyrë që ky përmirësim të mos ndalet, dhe në mënyrë që të mos kemi një valë të re, për shkak se verzioni delta është eksploziv në muajt nëntor dhe dhjetor, ne jemi për shtyrjen e zgjedhjeve – deklaroi Albin Kurti, kryetar i VV-së.
Lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku tha se ky skenar politik nuk bënë të ekzekutohet, pasi që, sipas tij në pyetje është demokracia.
Nuk kishte pajtueshmëri për shtyrje të zgjedhjeve dhe besoj se kjo çështje është një ditë e mirë për demokracinë -tha Lumir Abdixhiku, kryetar LDK.
Ndërsa kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha se ata si parti janë të gatshëm ta shkurtojnë fushatën por jo shtyrjen e zgjedhjeve.
Qëndrimi ynë është që shëndeti i qytetarëve është prioritet por karshi shëndetit të qytetarëve është edhe shëndeti i demokracisë – u shpreh Memli Krasniqi, kryetar i PDK-së.
Zgjedhjet lokale në Kosovë, do të mbahen më 17 tetor ashtu siç ishte paraparë. Ndërkohë akoma mbetet e paqartë nëse fushata zgjedhore do të anulohet apo do të shkurtohet për shkak të situatës epidemiologjike.
Alsat