Detajet e reja/ 4 viktima dhe mbi 50 të lënduar është bilanci i aksidentit në Evzoni të Greqisë
Detajet e reja/ 4 viktima dhe mbi 50 të lënduar është bilanci i aksidentit në Evzoni të Greqisë

Gazetar: Adrian Kerimi
Katër të vdekur dhe mbi 50 të lënduar është bilanci nga pasojat e aksidentit që ndodhi në afërsi të kufirit Greqi-Maqedoni e Veriut, përkatësisht në zonën e njohur si “Evzoni”, shkruan Alsat.
Autobusi me targa të Serbisë u godit nga një makinë me targa greke e cila po drejtohej nga një 60 vjeçar. Tre udhëtar të ndodhur në veturë kanë ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa shoferi ka ndërruar jetë në spital.
Autobusi me turistë serbë derisa tentoi t’i shmanget aksidentit, ka përfunduar jashtë rruge duke e goditur një makinë tjetër me targa të Serbisë në të cilën ndodhej një grua dhe dy fëmijë të moshave 6 dhe 9 vjeçare.
Sipas dëshmisë së udhëheqësit të guides, shoferin e makinës më targa greke e ka zënë gjumi dhe për këtë arsye ka ardhur deri tek përplasja.
Zona në të cilën janë përplasur makinat dhe autobusi nuk është autostradë dhe nuk ka bankina mbrojtëse.
Udhëtarët e autobusit janë dërguar në spitalin më të afër të Selanikut për shkak të lëndimeve të marra, por mësohet se asnjëri prej tyre nuk është në rrezik për jetën.
Pasagjerët të cilët nuk janë shtruar në spital, nën organizimin e Ambasadës serbe janë kthyer për në Serbi, ndërsa të tjerët do të kthehen pas përfundimit të kurimit spitalor.
Orët e para pas aksidentit është bllokuar qarkullimi drejt vendkalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut, ndërsa gjatë ditës Ministria e Brendshme njoftoi se pika kufitare është rikthyer në funksion dhe se nuk ka pengesa dhe pritje të gjata./ Alsat.mk