Dhe vetëm dy pije të gazuara në javë janë të dëmshme për shëndetin
Shkencëtarët pohojnë se edhe një sasi e vogël e pijeve të gazuara nuk është e papërfillshme

Rezultatet e tridhjetë viteve të kërkimit, të kryera nga shkencëtarët kanadezë, kanë treguar se vetëm dy kanaçe me pije të gazuara në javë mund të kenë një efekt të dëmshëm për shëndetin.
Studiuesit në Université Laval në Quebec studiuan rreth 100,000 të rritur të shëndetshëm gjatë një periudhe tridhjetë vjeçare në një përpjekje për të zbuluar dëmin që mund të shkaktojë pirja e sodës.
Pjesëmarrësit u ndanë në dy grupe. Gjysma pinin pije të ëmbla me sheqer më shumë se dy herë në javë, ndërsa pjesa tjetër abstenonte ose vetëm “rrallë” kënaqej me një të tillë.
Rezultatet, të publikuara në The American Journal of Clinical Nutrition, treguan se ata që pinin pije me sheqer më shumë se dy herë në javë kishin një rrezik më të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare, pavarësisht nga niveli i tyre i aktivitetit fizik. Me fjalë të tjera, pavarësisht se sa aktivë fizikisht ishin pjesëmarrësit, ata e zhbënin të gjithë përpjekjen duke pirë vetëm dy pije të gazuara në javë.
Studiuesit arritën në përfundimin se pijet e ëmbëlsuara artificialisht nuk kishin të njëjtin efekt negativ, duke sugjeruar se ato janë një opsion më i sigurt.
“Zëvendësimi i pijeve me sheqer me pije dietike është i mirë sepse redukton sasinë e sheqerit që marrim në trup. Por opsioni më i mirë i pijes mbetet uji”, thotë profesori Jean-Philippe Drouin-Chartier nga Universiteti Laval.