Dhjetëra denoncime për cilësinë e ajrit, Ziberi: Qytetarët mund të ngrenë padi

Dhjetëra denoncime për cilësinë e ajrit, Ziberi: Qytetarët mund të ngrenë padi

Qytetarët kanë bërë rreth 40 denoncime në fushën e mjedisit, 20 prej të cilave kanë të bëjnë me cilësinë e ajrit. Këtë e konfirmoi Avokati I Popullit, Naser Ziberi i cili rikujtoi qytetarët që kanë të drejtë të ngrenë padi nëse u mohohet e drejta për ajër të pastër, ndërsa inkurajoi qytetarët të drejtohen edhe te inspektoratet nëse hasin në stacione matëse që nuk punojnë. Ministri i Mjedisit Jetësor, Izet Mexhiti, tha se po ndërmerren masa për përmirësimin e cilësisë së ajrit, duke vënë theks te gazifikimi në mjediset urbane, që sipas tij do të ndikojë në uljen e ndotjes. Ndërkohë është parashtruar kallëzim penal ndaj një xeheroreje në Makedonska Kamenicë për ndotjen e ambientit. Sipas njoftimit të MPB-së në lumin Kameniçka janë lëshuar metale të rënda.

“Kuptohet në komunat ku nuk funksionojnë njësitë matëse, ekzistojnë inspektoratet dhe duhet t’ju drejtohen dhe sigurisht që institucionet përkatëse do të ndërmarrin masa që ato njësi matëse të vihen në funksion. Por ne kemi qytete ku funksionojnë njësitë matëse, ku cilësia e ajrit jepet ashtu siç është dhe kuptohet që ata mund të ngrenë padi administrative dhe të kërkojnë mbrojtjen e të drejtave të tyre”, deklaroi Naser Ziberi, Avokat i Popullit.

“Zgjidhja e parë është gazifikimi në mjediset urbane, ta kthejmë projektin dhe në mënyrë të suksesshme ta çojmë deri në fund. Sepse kjo është një zgjidhje afatgjate, edhe një burim i ri për ngrohje edhe më i lirë, por njëkohësisht do të ndikojë në uljen e ndotjes, veçanërisht në mjediset urbane”, tha Izet Mexhiti, Ministër i Mjedisit. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button