Gazetare: Ilirida Sulejmani
Dhuna në familje vazhdon të jetë një nga format më të përhapura në vend. Rritja e rasteve të dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje, po rikthen në fokus nevojën më efikase të mbrojtjes së viktimave. E ftuar në emisionin “Gjurmët” në Televizionin Alsat, profesoresha universitare, Albana Metaj, foli mbi propozimin për përdorimin e kamerave trupore nga zyrtarët policorë gjatë ndërhyrjes në rastet e dhunës. Përdorimi i kamerave, mund t’i japë Prokurorisë një pasqyrë të plotë të situatës në vendin e ngjarjes, duke dokumentuar gjendjen e viktimës dhe rrethanat në momentin e ndërhyrjes. Megjithatë, në asnjë mënyrë nuk duhet të cenohet privatësia e viktimave dhe identiteti i tyre.
“28:08-28:40 Tani unë dëgjova që Ministria e Punëve të Brendshme do të ketë policë të cilët do të ndërhyjnë me kamera trupore për të parë edhe për të filmuar vendin ë ngjarjes në kohë reale, që në aspektin juridik, do të jetë një ndihmë e shtuar për Prokurorinë, sepse i marrin nga burimi të gjitha provat, materialet do të thotë si ka qenë situata, cila ka qenë gjendja psikologjike e viktimës.” – Albana Metaj, profesoreshë Universitare.
Vetëm gjatë 5 muajve të parë të vitit, janë regjistruar 768 vepra penale të lidhura me dhunën në familje, që paraqitet rritje rreth 67 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ku si shkak i kësaj rritjeje është pikërisht inkurajimi i grave për ta denoncuar dhunën. Shifrat ndër vite mbeten alarmante. Sipas statistikave të MPB-së, në periudhën e vitit 2018 deri në vitin 2025, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar 42 vrasje, 24 tentativa për vrasje dhe 192 raste të lëndimeve të rënda trupore në kuadër të dhunës në familje. Ndërkaq, vetëm gjatë 6 muajve të parë të këtij viti, janë evidentuar 4 vrasje, 1 tentativë për vrasje dhe 7 raste të lëndimeve të rënda trupore të lidhura me dhunën në familje./Alsat.mk








