Dialogu Kosovë-Serbi, kryenegociatorët takohen sot në Bruksel

Dialogu Kosovë-Serbi, kryenegociatorët takohen sot në Bruksel

Kryenegociatori i Kosovës Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë Petar Petkoviq do të takohen të martën në Bruksel.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka përmendur normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë si urgjencën më të madhe.

“Prioriteti dhe agjenda, në fakt, përcaktohet nga urgjenca më e madhe e fillimit të zbatimit të marrëveshjes në rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, tha ai, duke shtuar se BE-ja do të ndihmojë të dyja palët për të arritur normalizimin e marrëdhënieve.

Javën e kaluar në Bruksel kanë dështuar përpjekjet e Bashkimit Evropian për një takim trepalësh me kryeministrin Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Kryeministri Kurti ka kërkuar nga kryeqendra evropiane që të plotësohen tri kushtet e vëna nga ai ndaj presidentit të Serbisë për takim trepalësh.

“Kam kërkuar garanci, e para është nënshkrimi i marrëveshjes bazike, e cila sjell siguri ligjore dhe i anulon shkeljet e më hershme. Garancia e dytë është tërheqja e letrës së ish-kryeministres Ana Bërnabiq. Garancia e tretë që kam kërkuar është dorëzimi i kryekriminelit Milan Radoiçiq dhe i bandës së tij terroriste tek autoritetet e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Ndryshe, shefi i diplomacisë evropiane në largim Josep Borrell ka kërkuar guxim, vizion dhe vullnet politik të liderëve të të dyja palëve për vazhdimin e procesit të dialogut për zhbllokimin e rrugës drejt së ardhmes evropiane, si dhe forcimin e sigurisë e stabilitetit në rajon.

Borrell tha se në kuadër të dialogut është bërë shumë gjatë viteve të fundit dhe shtoi se procesi mund të përparojë vetëm aq sa të jenë të gatshme të dyja palët.

“Pritjet e BE-së dhe vendeve anëtare nuk do të ndryshojnë. Detyrimet Kosovë-Serbi nuk do të zhduken”, tha Borrell.

Borrell do të largohet nga pozita e tij pas përfundimit të mandatit, ndërkohë që në vend të tij në samitin e së enjtes në Bruksel pas zgjedhjeve të Parlamentit Evropian, është bërë e ditur se diplomatin spanjoll do ta pasojë kryeministrja e Estonisë në largim Kaja Kallas, e cila do të shërbejë gjithashtu si zëvendëspresidente e Komisionit Evropian.

LEXO EDHE:

Back to top button