Dialogu Kosovë-Serbi, më 2 shtator në SHBA


Liderët e Kosovës mirëpresin takimin e caktuar për më 2 shtator me palën serbe, në Shtëpinë e Bardhë. Takimi i paralajmëruar nga ndërmjetësi amerikan, Riçard Grenell për Presidentin, Thaçi dëshmon përkushtimin e jashtëzakonshëm të SHBA-së për stabilitet në rajon. Ndërsa Kryeministri, Hoti tha se negociatat do të ndryshojnë perspektivën ekonomike të rajonit.

Mirëpres takimin e paralajmëruar në Shtëpinë e Bardhë për negociata midis Kosovës dhe Serbisë. Jemi mirënjohës ndaj SHBA-së për përkushtimin e jashtëzakonshëm për paqe dhe stabilitet në rajon”-tha Hashim Thaçi, President i Kosovës.

SHBA ka qenë gjithnjë kyçe në proceset shtet-ndërtuese të Kosovës. Më 2 shtator, me palën serbe, si dy shtete të pavarura, do të takohemi në Shtëpinë e Bardhë për projekte madhore që do ta ndryshojnë perspektivën ekonomike të Kosovës dhe rajonit. Kosova është e bekuar me miqtë e saj”-pohoi Avdullah Hoti, Kryeministër i Kosovës.

 

Nga ana tjetër, Presidenti serb, Vuçiq tha se Serbia nuk është në gjendje të refuzojë bisedimet, duke shprehur habinë pse Grenell ka përdorur termin “negociata”. “Ne marrim pjesë në bisedime, temat janë ekonomike, është e rëndësishme për ne dhe ato janë të mira” është shprehur Vuçiq për mediat serbe, duke shtuar se për dallim prej Bogradit, Prishtinës nuk i intereson liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave e kapitalit por njohja e pavarësisë.  Takimin në Uashington që vjen pas anulimit të atij të 27 qershorit shkaku i akuzave të rënda të Hagës ndaj Presidentit Thaçi e ka mirëpritur edhe Brukseli zyrtar. BE e cila që nga 2011-ta e ndërmjetëson dialogun mes dy vendeve, e konsideron SHBA-në partnere të rëndësishme në proces. Dialogu mes dy vendeve rifilloi me takimin e Hotit dhe Vuçiqit më 16 korrik nën ndërmjetësim të BE-së, ndërsa palët ishin dakorduar për një takim tjetër të këtij formati më 7 shtator.

Anesa Salihu

LEXO EDHE:

Back to top button