Dialogu Kosovë – Serbi vazhdon javën tjetër

Dialogu Kosovë – Serbi vazhdon javën tjetër

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka bërë të ditur se javën e ardhshme do të zhvillohet një takim në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, në nivel të kryenegociatorëve. Kryenegociatori i Kosovës për këto takime është zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, ndërsa i Serbisë është udhëheqësi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq. Në këtë takim është thënë se fokusi do të jetë në zbatimin e Marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve – për të cilën Kosova dhe Serbia kanë arritur pajtueshmëri më 27 shkurt – si dhe në aneksin e zbatimit, për të cilin palët janë dakorduar më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Stano është shprehur i kënaqur që, siç ka thënë ai, dialogu po bëhet më i popullarizuar në rajon dhe se po organizohen gjithnjë e më shumë takime. Ai ka deklaruar kështu duke iu referuar një propozimi të kryeministrit me mandat teknik të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, që takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë të zhvillohet në shtetin që drejton ai. /Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button