Diaspora në Gjermani me më së shumti votues për zgjedhjet në Kosovë

Diaspora në Gjermani me më së shumti votues për zgjedhjet në Kosovë

Gazetare: Xhesika Sallahi

Votuesit e regjistruar jashtë vendit do të kenë mundësi që të votojnë para shtetasve që jetojnë në Kosovë, për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit. Periudha e votimit për diasporën e regjistruar do fillojë më 9 janar, ndërsa do të zgjasë 31 ditë. Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha se Gjermania prin me numrin më të madh.

“Dy shtetet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar janë Gjermania me 44,774 votues dhe Zvicra me 27,248 votues të regjistruar. Pas tyre vijnë edhe disa shtete tjera siç janë Franca, Suedia, Austria, Italia, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Belgjika, Mbretëria e Bashkuar dhe Finlanda. Të gjitha këto shtete përbëjnë 10 shtetet me numrin më të madh të votuesve të regjistruar nga jashtë Kosovës për procesin zgjedhor në vendin tonë”, tha Valmir Elezi, Zëdhënës i KQZ-së.

Në zgjedhjet parlamentare në Kosovë të drejtën e votës do të mund ta shfrytëzojnë gjithsej 104.924 shtetas që jetojnë jashtë vendit. Shumë prej tyre do votojnë në përfaqësitë diplomatike, ndërkaq, të tjerët do dërgojnë fletëvotimet në pikat e kutisë postare të KQZ-së.

“Nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar jashtë Kosovës i cili është 104.924 prej të cilëve 20.399 janë regjistruar për të votuar fizikisht në ndonjërën nga përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës më 8 shkurt, ndërkaq 17.104 shtetas të tjerë janë regjistruar për të dërguar pako me fletëvotim në adresë të kutisë postare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë dhe numri më i madh prej 67.421 votuesish janë regjistruar për të dërguar pakon me fletëvotim në ndonjërën nga kutitë postare të KQZ-së që do të hapen jashtë Kosovës”, u shpreh Valmir Elezi, Zëdhënës i KQZ-së.

Në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt në Kosovë, të drejtë votë kanë një milion e 970 mijë e 944 votues./Alsat.mk

LEXO EDHE:

Back to top button