Disa reparte spitalore shndërrohen në qendra COVID

Ministria e Shëndetësisë ka filluar të sigurojë vende shtesë për pranimin e pacientëve me COVID-19 nëpër repartet e tjera spitalore në vend. Për momentin në Shkup pacientë pranohen në  spitalin në Kozle, ndërsa ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se nga fundjava ose më së voni në fillim të javës së ardhshme do të fillojë pranimi i pacientëve edhe në repartet e tjera të spitalit “ 8 Shtatori”.

Sot është punuar në Institutin për Sëmundje në Mushkëri. Pra në Qendrën Klinikë, Instituti për Sëmundje në Mushkëri është institucioni i radhës, pas Klinikës Infektive, ku do të pranohen pacientë. Më tutje plani është në njësitë interne, që e paralajmëruam një ditë më parë- deklaroi Venko Filipçe- ministër i Shëndetësisë.

Filipçe paralajmëroi gjithashtu përforcimin e stafit mjekësor. Përveç funksionimit përmes turneve, në ndihmë mjekëve do t’u vijnë edhe studentët e vitit të fundit të mjekësisë.

Do të bëhen dy grupe mjekësh. Njëri grup do të jetë në dispozicion të spitaleve në Shkup dhe grupi tjetër për turnet nëpër spitalet në gjithë shtetin. Mjekët do të angazhohen në koordinim dhe në marrëveshje me koordinatorin e mjekëve për atë qendër klinike. Duhet të bëhet kujdestari për 12 orë, nga ora 20 në mbrëmje, deri në 8 të mëngjesit. Ky sistem së shpejti do të nisë të funksionojë dhe në mënyrë të dukshme do të ndjehet menjëherë ndihma e tyre- pohoi Venko Filipçe- ministër i Shëndetësisë

Sipas Filipçes rezultatet e masave të reja priten më së voni brenda një muaji, kur dhe mund të ketë ulje të numrit të të infektuarve. Këto komente Filipçe i bëri gjatë pranimit të donacionit të NATO-s. Aleanca Veriatlantike dhuroi 60 respiratorë në vlerë prej 1.4 milion euro.

Përgatiti: Evi Shkopi

LEXO EDHE:

Back to top button